Transmetuar më 18-08-2018, 08:40

“Ti je një hero”. Është ky mesazhi i shkruar në fasadën e një ndërtese në Valencia të Spanjës, përballë dritareve të repartit të onkologjisë pediatrike, në spitalin La Fe.

Piktura murale u realizua nga grupo “Unlogic”, me iniciativë të babait të një prej fëmijëve të shtruar në spital, ku një vogëlush shfaqet me mantel dhe me serum.

Fasada e pallatit pranë spitalit, zakonisht jepet me qera për spote të ndryshme publicitare, por në vitin 2015 përfundoi në qendër të polemikave, për shkak se hapësira u shfrytëzua për të promovuar një kompani funerale.

Jorge Nuno, një prej artistëve që realizuan pikturën tha se, babai i një vogëlushi të prekur nga kanceri bëri një apel në Twitter.

“Në sajë të një miku të përbashkët u vumë në kontakt për ta vënë idenë në zbatim”, tha ai.

Grupi i artistëve, me ndihmën e disa sponsorve e morën murin me qera për tre vitet e ardhshme, ndërkohë që e gjithë vepra u realizua për pesë ditë, në bashkëpunim me “Asociacion de Padres de Niños Con Cáncer”. /a.y/noa.al