Transmetuar më 17-08-2018, 13:09

Tre lokale janë mbyllur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Jalë, për shkak të kushteve skandaloze në të cilat mbanin dhe përgatisnin ushqimet.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik, është në çdo kohë në aksion për kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e sigurisë ushqimore.

Konkretisht, gjatë aksionit që AKU po ushtron në zonat bregdetare, trupa inspektuese DRAKU, Vlorë ka evidentuar tre subjekte, dy me aktivitet “Restorant” dhe një “Fast Food” ku kryenin veprimtari në kundërshtim me standardet e sigurisë ushqimore si dhe në kushte të rënda higjeno-sanitare.

Ndaj subjekteve, restorant “Lavdoshi, restorant “Kapiteni” dhe fast food “Spiro Kreku” janë marrë masë administrative gjobë 300.000 lekë për secilin si dhe bllokim i menjëhershëm i aktivitetit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”.

“Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët”, thuhet në njoftimin e AKU. /a.y/noa.al