Transmetuar më 17-08-2018, 09:11

Një sërë ndërhyrjesh kirurgjikale të zgjatura për katër vite, për ti rindërtuar fytyrën. Ishte vetëm 18 vjeçe, kur Katie Stubblefield, në mars të vitit 2014, tentoi që ti jepte fund jetës, duke u qëlluar me plumb në kokë.

Tentativa dështoi, por adoleshentja mbeti e shpërfytyruar dhe tashmë në moshën 22-vjeçare, është bërë pacientja më e re në SHBA, e cila i është nënshtruar një transplanti fytyre.

Katie e tregoi historinë e saj për “National Geographic”, e cila i dedikon kopertinën e muajit shtator dhe një dokumentar online.

Pas tentativës së vetëvrasjes, e reja nuk arrinte që të merrte frymë, nuk përtypej dot vetë dhe as gëlltitej. Por tashmë ajo është e bindur se ka mundësi për të rindërtuar jetën e saj dhe është entuziaste për nisjen e një kapitulli të ri.

Në moshën 16-vjeçare ajo u transferua bashkë me familjen në Kentucky, më tej në Oxford, dhe në vijim në Mississippi.

Gjatë adoleshencës pati probleme kronike me stomakun, dhe gjatë asaj periudhe një djalë i liceut i qëndroi pranë, dhe ajo u dashurua me të. Në një moment Katie, zbuloi në telefonin e tij mesazhet e një vajze tjetër, duke çuar në ndarjen e tyre.

Gjithçka ndodhi teksa prindërit e saj, që të dy mësues në shkollën e saj, mbetën pa punë.

Kështu një ditë ajo shkoi në shtëpinë e vëllait të saj, mori pushkën, u mbyll në banjë dhe qëlloi veten me armë. Si pasojë mbeti pa hundë, pa nofull dhe pa një pjesë të ballit.

Vëllai i saj Robert tregoi për ‘National Geographic’, se shembi derën e banjës dhe e gjeti pa fytyrë mes një pellgu gjaku, shkruan noa.al.

Për muaj të tërë luftoi mes jetës dhe vdekjes deri kur më 4 maj të vitit 2017, pas 22 orësh operacion dhe 31 ndërhyrjesh, në pritje të një dhurueseje fytyre. Më në fund iu nënshtrua transplantim të fytyrës në Cleveland Clinic të Ohio.

Dhuruesja e saj ishte 31-vjeçarja Adrea Schneider, e cila kishte humbur jetën prej mbidozës së drogës dhe familja e saj, vendosi që të dhurojë organet.

“As që e dija se mund të bëhej një transplanto fytyre dhe kur më thanë prindërit isha shumë entuziaste. Kam ende vështirësi në të folur dhe duhen ende disa ndërhyrje të tjera. Por dëshira ime aktuale është që të jem e lumtur sërish”, shprehet e reja. /a.y/noa.al