Transmetuar më 16-08-2018, 21:30

Specialistët e monumenteve kanë nxjerrë në dritë trarë druri që mbajnë këmbën qëndrore të Urës monumentale të Kordhocës në Gjirokastër.

Trarët prej lisi, në distancë nga njëri tjetri janë zhytur në shtratin e lumit dhe megjithëse kanë kaluar 200 vjet i kanë rezistuar kohës dhe lagështirës së ujit dhe ruhen në gjendje të mirë.

Realizimi i urës me trarë nën këmbët e gurta shihet mjaft i çuditshëm nga specialistët e monumenteve. Ata tani po derdhin beton për të përforcuar bazamentin e këmbës së urës që rrezikonte shembjen prej rrjedhës së Lumit “Drino”.

Sipas burimeve historike Ura e Kordhocës daton rreth viteve 1820 dhe shërbente sidomos për komunikimin e karvanëve tregëtarë mes Gjirokastrës dhe Janinës.

Ura e Kordhocës në afërsi të qytetit të Gjirokastrës është 20 metër e gjatë dhe 7 metër e lartë dhe mbart mjaft vlera arkitekturore në mënyrën e ndërtimit.

Disa ura shumë të vjetra në Shqipëri po shkojnë drejt degradimit megjithëse edhe sot kanë rëndësi për komunikimin mes zonave.

Dimrin e kaluar në krahinën e Zagorisë në Gjirokastër u shemb Ura e Hoshtevës, një tjetër Monument Kulture. Megjithë paralajmërimet nga shtypi dhe banorët për rrezikun ndërhyrja nuk u arrit në kohë nga autoritetet.