Transmetuar më 16-08-2018, 11:09

Shtetasi suedez Sebastian Vall i cili tre ditë më parë u kap me 19 pistoleta në pikën kufitare të Muriqanit ka dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Ai ka folur lidhur me rolin e tij në linjën e trafikut. Vall ka deklaruar se nuk është person që merret me punë të jashtëligjshme, por e ka bërë këtë gjë pasi ishte i papunë.

“Unë do bëja vetëm transportin e pistoletave nga Shqipëria në Suedi”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk ka lidhje me grupet kriminale.

Ai tha se e ka bërë këtë gjë pasi kishte nevojë për para, për studimet.

“Qëndrova katër ditë në Prishtinë ku mora armët nga një person që nuk ia di emrin. Të gjitha këto i bëra për para pasi jam i papunë. Doja të studioja, por s’kisha para’ dhe bëra këtë punë”, mësohet të ketë deklaruar ai në gjykatë.

Ndërkohë Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për suedezin./a.m./noa.al/