Transmetuar më 16-08-2018, 09:03

Me nisjen e sezonit veror resortet dhe hotelet në zonat turistike janë objekt kontrollesh nga OSHEE pasi është raportuar për abuzime të shumta me energjinë elektrike, që nga lidhjet e jashtëligjshme e deri te manipulimi i matësave.

Task Forca Rajonale ka kryer kontrolle në hotelet e Shëngjinit. Bazuar te faturat e dyshimta, grupet kanë kontrolluar subjektet.

Një prej tyre është edhe hoteli me emër në Shëngjin i quajtur “Brilant”. Fatura për këtë subjekt ishte vetëm 340 lekë në muaj, në një kohë që biznesi punon me kapacitet të plotë për sezonin veror.

Pas kontrolleve, u konstatua se ishte manipuluar matësi. Në këto kushte, u krye prangosja nga policia e lexuesit Gëzim M., i cili po ashtu u largua nga puna. Në pranga ra edhe pronari i hotelit, shtetasi Mhill N.

Dëmi sipas OSHEE përllogaritet në disa miliona lekë.

Policia po ashtu ka arrestuar edhe kryeplakun e fshatit Malgush në Vaun e Dejës isa Ç., i cili po ashtu dyshohet se ka vjedhur energjinë duke ndërhyrë në matës. Ai kishte krijuar një debi prej 6 milionë lekësh.

OSHEE thotë se disa zyrtarë të tjerë janë nën hetim pasi dyshohen se kanë krijuar një grup të strukturuar me pronarët e bizneseve për të shmangur detyrimet./a.m./noa.al/