Transmetuar më 16-08-2018, 08:33

Legjenda e “Formula 1” Michael Schumacher dhe familja e tij do të lënë Zvicrën dhe do të zhvendosen në Majorka, në Spanjë.

Lajmi është konfirmuar nga kryebashkiaku i Andtratx cili ka deklaruar se është njoftuar edhe policia të marrë masa sigurie.

“Mund të konfirmoj se Michael Schumacher po vjen në qytetin tonë. Jemi gati ta mirëpresim”, ka thënë kryebashkiaku.

Ndërkohë, është përgatitur gjithçka për ruajtjen e privatësisë. Familja e Schumacher i ka mbyllur dyert mediave dhe është treguar mjaft e rezervuar për gjendjen e tij shëndetësore.

Por, disa burime kanë bërë me dije se ai është në gjendje vegjetative prej aksidentit të 29 Dhjetorit të vitit 2013 në malet franceze teksa bënte ski.

Në vilën e familjes është improvizuar një klinikë ku Schumi merr të gjithë ndihmën mjekësore që e mban në jetë.

Familja tashmë po zhvendoset në Majorka, një prej vendeve më të pëlqyera që vizitohej shpesh për pushime dikur nga legjenda e “Formula 1” dhe bashkëshortja e tij Korina.

Vila e re e tyre ka kushtuar 30 milionë euro./a.m./noa.al/