Transmetuar më 14-08-2018, 09:07

Debati për korrigjimin e kufijve është më i nxehtë se kurrë dhe tashmë ajo që e forcon edhe më tej lidhet me zërat për “zbutjen” e qëndrimit ndaj kësaj ideje edhe nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të paktën kjo është ajo që nënvizohet jo vetëm nga burimet diplomatike në Uashington e më gjerë, por edhe nga ato që raportohet nga mediat e Beogradit.

Gjithmonë e më shumë po flitet për një ndryshim të mundshëm të qëndrimit të SHBA-së nën administratën Trump.

“Amerika ka zbutur disi qëndrimin e saj kur bëhet fjalë për Kosovën. Pas shumë vitesh, për herë të parë kemi një situatë që ata duan të dëgjojnë se çfarë ka Serbia për të thënë dhe këtë duhet shfrytëzuar maksimalisht”, ka shkruar gazete serbe “Blic”.

Më tej kjo media raporton se së shpejti do të ketë edhe një takim mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe atij amerikan Donald Trump, ku sigurisht fokusi do të jetë Kosova.

Një takim Vuçiç pritet të mbajë edhe me presidentin rus Vladimir Putin, takim i cili pritet të mbahet në Moskë ose Vladivostok.

Rusia është aleatja më e madhe e Serbisë e cila ka penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare./a.m./noa.al/