Transmetuar më 14-08-2018, 07:54

Çrregullimet e shëndetit mendor, sipas mjekëve psikiatër, nga viti i shkuar kanë pësuar rritje me 20%. Problem mbetet stigma për këta persona. Rastet më të shpeshta që kërkojnë ndihmën e mjekëve janë personat që paraqesin shqetësime nga ankthi.

Një në 4 persona në botë vuan nga çrregullime të shëndetit mendor. Në Shqipëri nuk ka statistika të sakta, por mjekët mendojnë se numri është më i madh. Ariana Rreli, psikiatre pranë Qendrës Komunitare për Shëndetin Mendor numër tre në Tiranë tregon për ABC Neës se nga viti i shkuar personat që shfaqin çrregullime të shëndetit mendor janë rritur me 20%. Frika nga paragjykimi mbetet problem, ndërsa rastet më të shumta që kërkojnë ndihmën e mjekut paraqesin shqetësime të ankthit.

“Çrregullimet e ankthit kohët e fundit janë rritur ndjeshëm. Më tepër në vendin tonë por edhe në botë. Ne kemi stresorë shumë të fuqishëm socialë.nga viti në vit 20% të vizitave vijnë më tepër e referohën”, thotë ajo.

Ankthin mjekët  e rendisin tek problemet më të vogla, por  që paralajmërojnë sëmundje të mëdha.

“Komplikohet me gjendje të tilla si ataku i panikut, që është sulmi që bën ankthi i patrajtuar, çon në problem të humorit dhe depresioni i komplikuar, nganjëherë shenjë paralajmërues e e sëmundjeve shumë të mëdha, por jo komplikacion. Mund të jetë edhe pjesë e skizofrenisë apo sëmundjeve të tjera të shëndetit mendor”, vijon mjekja.

Por kur një person ka nevojë për ndihmën e mjekut?

“Që në vështirësi në frymëmarrje, një dhimbje koke që nuk është identifikuar si problem organik, një lodhje kronike që personi nuk e justifikon, një prag i ulët i ngacmueshmërisë, irrabilitet shumë i shprehur. Duket sikur ka diçka që nuk punon mirë,me zemrën, me stomakun, por me të gjitha ekzaminimet del mirë”, sqaron Ariana Rreli.

Personeli shëndetesor i  Qendrave Komunitare të Shëndetit Mendor duhet të ishte ai që të mundësonte  depistimin e popullsisë dhe trajtimin e problemit në fazë të hershme, por mjekja psikiatre tregon se numri i kufizuar i stafit dhe rritja e kërkesave për ndihmë e bën të pamundur.

“Ne më shumë jemi një institucion pritës, sesa një institucion që kërkon problemin në komunitet ka sjellë pamundësinë  për t’u identifikuar herët dhe për t’u mënjanuar. Mbase është koha për ta parë si një problem që kërkon shtim të kapacitetve, shtim të qendrave komunitare të shëndetit mendor, ose propozim për institucione sekondare, shtëpitë e mbështetura, qendra ditore”, thotë mjekja.

Në këto kushte janë vetë personat që shfaqin problemin apo familjarët e tyre, që duhet të mundin stigmën e  t’i drejtohen klinikave në mënyrë që gjendja shëndetësore të mos agravojë e të presë çastin e një shpërthimi që mund të jetë dhe fatal.