Transmetuar më 12-08-2018, 22:14

Skuadra e Skënderbeut duket se vijon dominimin e saj ndaj rivalëve e kundërshtarëve, pavarësisht problemeve, dënimeve, largimeve e ndryshimeve.

Mbrëmjen e të dielës, në “Selman Stërmasi” ekipi korçar ka ngritur trofeun e parë sezonal, atë të Superkupës së Shqipërisë, pasi ka mundur në finalen e madhe skuadrën e Laçit, me rezultatin 3-2. Bardhekuqtë kanë triumfuar ndaj kurbinasve, falë një përmbysje vendimtare, me plot 5 gola në 45’ minutat e dyta të ndeshjes.

Në fakt ishte skuadra e Laçit ajo që kaloi e para në avantazh, kur në minutën e 48’, Lushkja ka çbllokuar rezultatin për t’i dhënë epërsinë bardhezinjve.

Një avantazh që ka zgjatur vetëm 6’ minuta, pasi në të 54’ Aliti ka barazuar shifrat për Skënderbeun.

Bardhekuqtë kanë përmbysur rezultatin në të 68’, kur Muzaka ka shndërruar në gol një 11-metërsh të akorduar në favor të korçarëve, ndërsa në të 71’ Bregu thellon avantazhin e Skënderbeut në 3-1.

Xhixha rihap ndeshjen në të 84’ kur shënon për të ngushtuar rezultatin, por korçarët administrojnë si duhet avantazhin në minutat e mbetura, duke ruajtur fitoren që i dhuron trofeun e parë sezonal.

Image may contain: one or more people, stadium and outdoor

Skënderbeu-Laçi 3-2

Shënues:  Aliti 54′, Muzaka 68’ (11-m), Bregu 71’ / Lushkja 48′, Xhixha 84’

Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Aliti, Abazi, Muzaka, Demte, Dita, Gripshi, Krasniqi, Bregu.

Trajner: Orges Shehi.

Laçi: Selmani, Sefgjini, Fangaj, Jonuzi, Uzuni, Bushi, Gjoni, Shtubina, Xhixha, Lushkja, Eler.

Trajner: Artan Mërgjyshi