Transmetuar më 10-08-2018, 20:16

Kompozitorja shqiptaro-zvicerane, Elina Duni vjen me performancë në Anibar. 

Me tingujt e saj unikë të gërshetimit të tradicionales dhe jazzit, këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, më 16 gusht do gjallërojë pjesën zbavitëse të festivalit Anibar në parkun Karagaq në Pejë. 

Elina Duni pa dyshim është një prej artisteve të rralla krijuese dhe interpretuese.

Kombinimi i këngëve tradicionale folklorike shqiptare me jazzin ka zgjuar kureshtje dhe duartrokitje, tek njohësit e muzikës.

Për këtë projekt, Elina Dunit do t’i bashkëngjitet kitaristi Rob Luft, i vlerësuar si një prej yjeve në ngritje të skenës bashkëkohore të Jazzit Londinez. 

Performanca e Luft përmban oshëtimë të Afrikës Perëndimore, folklorit anglez dhe rock indie, të cilat gjejnë një homologe ideale në vokalin e Elina Dunit. 

Për të kompletuar formacionin, me këtë rast, duo ka ftuar bateristin italian Enzo Zirilli tingujt e të cilit i pasurojnë këngët e përjetshme popullore. 

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar shënon edicionin e nëntë këtë vit dhe mbahet prej 13 deri me 19 gusht në Pejë duke e trajtuar temën e barazisë gjinore. Festivali është i kompozuar nga aktivitete të ndryshme; shfaqja e filmave te animuar në programin garues, punëtori për animacion, programe speciale, prezantime nga profesionistë të animacionit, koncerte, masterklasa, etj.   

Përkrah programit të larmishëm të Anibarit, mysafirët edhe sivjet mund të akomodohen në kampin e vendosur në rreze të Grykës së Rugovës. /noa.al/