Transmetuar më 10-08-2018, 14:00

Në ditët e nxehta të verës, uji apo pijet e ndryshme shoqërohen me akull.

Por, ndërsa ne e blejmë ujin për të mos konsumuar atë të rrjetit publik, rrezikojmë që mikrobet apo infeksionet t’i marrim nga akulli.

Mjekët infeksionistë thonë se javët e fundit ka raste të shtimit të hepatitit A.

Kjo sëmundje përhapet më së shumti nga uji.

Ndaj ekspertët hedhin dyshime se është pikërisht akulli përgjegjës.

Prodhimi i akullit me ujë të pakontrolluar, nuk është një problem i ri.

Tre vite më parë, një hetim i Institutit të Shëndetit Publik, zbuloi se uji me të cilin ishte prodhuar akulli shfaqte shenja të “Steptokokut fekal”.

Kjo tregoi se, uji kishte ndotje nga ujërat e zeza ose ishte i ndenjur në depozita.

Në fakt është paradoksale ajo që ndodh në shumë lokale të Shqipërisë: Shkon në lokal dhe porosit një shishe ujë dhe të vjen gota e mbushur me akull të përftuar nga uji i çezmave.

E duke pasur merak të pish ujin që vjen nga çezmat, e blen atë me lekë, të ambalazhuar, por akulli që ke në gotë, është bërë pikërisht me ujin që ti refuzon ta përdorësh.