Transmetuar më 10-08-2018, 12:41

Sot shënohen 30 vite nga dita e ekzekutimit të poetit kuksian Havzi Nela, pasi ai kaloi 21 vite në burgjet e Shqipërisë totalitare.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka shpërndarë një mesazh të gjatë në rrjetet sociale për të përkujtuar sakrificat e poetit.

Sipas Bashës, ai ishte i pamposhtur nga torturat një martir i demokracisë.

“Pas 21 vitesh burg, tortura dhe internime, diktatura humbi çdo shpresë që ta mposhte shpirtin e tij të lirë ndaj vendosi ta vrasë në mes të Kukësit për ta bërë shembull. Por vetëm e përjetësoi Havzi Nelën, martirin e lirisë”, shkruan Basha.

Në postimin e tij, kreu i opozitës nuk mund të mos bënte edhe një lidhje me realitetin e sotëm. Ai thotë se xhelatët e Havzi Nelës sot predikojnë për drejtësi. Basha shkruan se faqja e popullit që pranon këta predikues të drejtësisë do jetë e zezë.

“Mbi një komb të tërë rëndon edhe sot mëkati për varjen në litar të një poeti për vargjet e tij! E zezë është faqja e atij kombi që pranon të predikojnë sot për drejtësi xhelatët e pandëshkuar të krimeve të komunizmit dhe bijtë e tyre të papenduar! E keqja përsëritet nëse nuk e dëgjojmë kumtin e Havzi Nelës se çfarë të zezash e presin atë popull dhe shoqëri ku vdes fjala e lirë dhe shpirti i kundërshtimit ndaj të keqes”, vijon statusin e tij lideri i selisë blu./a.m./noa.al/