Transmetuar më 09-08-2018, 14:10

Londra zyrtare paralajmëroi sot Kosovën dhe Serbinë se ajo është kundër planit të tyre për ndryshim të kufijve.

Në këtë mënyrë, Britania e Madhe bëhet shteti i parë që del kundër planeve të Prishtinës dhe Beogradit për ndarje apo shkëmbim territoresh me fokus Preshevën dhe Mitrovicën.

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, tha sot se thirrjet për ndryshim të kufijve të Ballkanit mund të sjellin destabilizim.

“Ne besojmë se thirrjet për modifikim të kufijve nacionalë mund të jenë destabilizuese,” ka thënë ambasada britanike.

“Ashtu siç kemi qenë gjithmonë të qartë, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është vendimtar për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi”, – vazhdon deklarata.

“Qeveria britanike beson se kjo duhet të jetë në bazë të njohjes së vendeve të pavarura brenda kufijve të tashëm. Ne vazhdojmë ta mbështesim dialogun të lehtësuar nga Bashkimi Evropian me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme me të cilët përfitojnë të dy vendet.”

Pak pas qëndrimit britanik ka ardhur edhe reagimi gjerman.

Ambasada e Gjermanisë deklaroi sot se është kundër ndryshimit të kufijve.

“Ministri i Shtetit, Michael Roth, sikurse edhe Ambasadori Heldt në intervista të ndryshme e kanë bërë të qartë pozicionin zyrtar lidhur me dialogun për normalizim të marrëdhënieve. Me këtë, qëndrimi i Qeverisë Federale të Gjermanisë është i njohur,” thuhet në një deklaratë të kësaj ambasade për radion Evropa e Lirë.

Roth dhe Heldt kanë vlerësuar se ndarja e kësaj të fundit dhe lëvizjet e kufijve janë shumë të rrezikshme dhe mund ta destabilizojnë të gjithë rajonin e Ballkanit.