Transmetuar më 09-08-2018, 13:39

Sinjalistika në rrugën ku ndodhi aksidenti, u pa në publikimet mediatike që citonin Policinë e Shtetit dhe bashkinë Tiranë, si shkaqe të rëndësishme të aksidentit të djeshëm në periferi të kryeqytetit.

Bashkia Kamëz reagoi sot me një njoftim publik duke sqaruar se tragjedia rrugore nuk ndodhi në territorin e saj e për rrjedhojë i konsideron të papranueshme kërkesat dhe akuzat për mungesë sinjalistike rrugore.

“Shpesh raportohet për ngjarje të kronikës ose jo, si të ndodhura në Kamëz kur realisht kanë ndodhur në Tiranë. Bashkia Kamëz sqaron se territori i Bashkisë Kamëz kufizohet më Bashkinë e Tiranës tek rrethrrotullimi i Universitetit Bujqësor të Tiranës”, – thuhet në njoftim.

Duke u ndalur te aksidenti i djeshëm, bashkia Kamëz sqaron se ai “nuk ka ndodhur në territorin e saj, siç ka raportuar dje Policia e Shtetit, dhe informuar media, duke e bërë këtë nga dashakeqësia apo ndoshta nga mungesa e informacionit”.

“Por po ndodh disa herë e njëjta gjë si në rastin e kësaj ngjarjeje tragjike, ku raportohet për ngjarje të ndodhura në Kamëz, pavarësisht se është në territorin e një njësie tjetër vendore. E kundërta ndodh për ndonjë ngjarje pozitive në territorin e Bashkisë Kamëz, të cilën e raportojnë që ka ndodhur në Tiranë”.

Bashkia Kamëz rrëzon dhe pretendimin se Policia e Tiranës i ka dërguar shkresa të vazhdueshme për sinjalistikën e rrugëve, pasi ato realisht ndodhen në territorin e Bashkisë Tiranë. “Është absurde që Bashkisë Kamëz t’i jenë dërguar shkresa për sinjalistikën e rrugëve, të cilat nuk i ka në juridiksionin e saj, atë segment rrugor (kryqëzim) siç raportohet nga policia dhe informohet nga media”.

Në njoftim bashkia Kamëz thekson edhe se ky segment rrugor është të paktën 2 km në brendësi të Tiranës dhe jo vetëm që është kthyer në një burim aksidentesh, por bëhet edhe shkas për bllokimin e trafikut. /noa.al/