Transmetuar më 08-08-2018, 14:52

Opozita demokrate thotë se taksa e sheshtë është e vetmja rrugë për të rikthyer edhe një herë ekonominë në binarët e duhur ekonomikë.

Sugjerimi i demokratëve vjen disa vite pasi socialistët në pushtet, vendosën taksën progresive në vend të asaj të sheshtë që aplikoi qeveria “Berisha” vitet e mëparshme.

Për të dhënë hollësi mbi këtë propozim, dolën sot para medieve, nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Jorida Tabaku dhe Këshilltari për Çështjet Ekonomike në PD, Dorian Teliti.

“E vetmja rrugë për të rikthyer edhe një herë ekonominë në binarët e duhura ekonomike është një taksë e shteshtë që do të stimulojë ekonominë dhe do jetë promotori i rritjes së të ardhurave”, – tha zonja Tabaku.

Ajo evidentoi se qytetarët po harxhojnë edhe ato pak kursime që kanë vendosur me shumë mund ndër vite, 150 milionë dollarë kanë rënë depozitat e shqiptarëve në vetëm 1 vit.

Për më tepër, e ardhmja vlerësohet e zymtë.

“Po sipas Bankës së Shqipërisë, besimi i tyre për të ardhmen është negativ, rënie e besimit me 1.8 pikë përqindje. Kjo rënie ka ardhur si pasojë e:

Përkeqësimit të “situatës së pritur të familjeve”, -3.8pp.

Përkeqësimit të “situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve”, -2.6 pp.

Përkeqësimit të “situatës së përgjithshme ekonomike e pritshme në vend”, -0.3pp”, – citoi Tabaku.

Sa për bizneset, Tabaku vuri në dukje se ka rënë besimi në të gjithë sektorët e ekonomisë, me 9.9 pikë përqindje.

Industria, -3.7 pikë përqindje.

Ndërtimi, -1.9 pikë përqindje.

Shërbimet, -8.9 pikë përqindje,

Tregtia, -3.3 pikë përqindje.

Sipas të dhënave të BSH kredia për investime është në rënie megjithëse norma e interesit është më e ulët.

Po sipas të dhënave nga BSH raporti i kredisë për investime është më i ulët edhe se një vit më parë.

Totali i kredisë për bizneset qershor 2018, rezulton te jete 3.7% me i ulet sesa stoku i qershorit te vitit paraardhës (-120 mln dollarë).

Demokrati Teliti tha se kjo situatë e kredisë bie në kundërshti me PPP-të që qeveria ka dhënë deri më sot. “Sipas grafikut të PPP-ve bizneset duhet të kishin rritur kërkesat dhe kreditë në raport pasi edhe kostot e PPP janë rritur”.

Duke këmbëngulur te taksa e sheshtë, demokratët thonë se vetëm një ekonomi që prodhon mundet të ulë borxhin publik dhe të prodhojë një ekonomi të qëndrueshme për vendin. /noa.al/