Transmetuar më 08-08-2018, 12:54

Propozimi i papritur i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë, ka shkaktuar reagime të shumta jo vetëm të faktorit shqiptar e serb, por edhe të ndërkombëtarëve.

Thaçi po i qëndron me forcë idesë së tij teksa ka sqaruar se me “korrigjim” nënkupton përfshirjen në territorin e Kosovës të Luginës së Preshevës.

Edhe pse ai thotë se bëhet fjalë për “korrigjim”, në fakt vetë procesi do të ishte ndryshim kufijsh në rast se do ndodhte, proces i cili është kundërshtuar dhe shihet si i rrezikshëm.

Thaçi ka gjetur kundërshtinë e prerë të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se kufijtë janë vendosur me luftë dhe vetëm me luftë mund të zhbëhen.

Këtë qëndrim ai e rikonfirmoi edhe sot nga qyteti i Vlorës, vetëm pak minuta pas deklaratave të Thaçit nga presidenca.

“Hapja e temës së kufijve e papranueshme për mua. Kufijtë e Kosovës nuk duhet të preken, janë të vendosur si rezultat i luftërave. Për popujt e Ballkanit luftërat kanë qenë tragjike. Kufijtë nuk lëvizin me fjalë”, tha Haradinaj nga Vlora ku u takua me kryebashkiakun Dritan Leli./a.m./noa.al/