Heqja e vizave, si e shumëfishoi numrin e turistëve kinezë në Shqipëri
Transmetuar më 07-08-2018, 13:13

Shtetasit e Republikës Popullore të Kinës mund të lëvizin lirisht, pa viza në Shqipëri, pas një marrëveshjeje të kohëve të fundit mes dy vendeve.

Kjo ka bërë që të rritet ndjeshëm numri i turistëve kinezë në vendin tonë.

Është fakt se Kina është bërë faktor shumë i rëndësishëm për turizmin nëpër botë, pasi janë qindra milionë kinezë që po udhëtojnë përditë në Europë dhe kontinentet e tjera.

Një numër shumë i vogël i tyre, zgjedhin edhe Shqipërinë, kryesisht në ture ku përshkojnë disa vende.

Ata qëndrojnë një deri në disa ditë në Shqipëri, për të vizituar zona të ndryshme.

Për shembull Shqipërinë e vizituan vitin e kaluar rreth 10 mijë kinezë kurse në Itali shkuan mbi 3 milionë dhe në Greqi, 1 milion.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në një intervistë për televizionin kryesor të Kinës, CGTN, thotë se Shqipëria po punon për krijimin e një paketë të re me një ofertë të trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë.

“Ne jemi duke punuar shumë fort që të krijojmë një paketë të re me një ofertë të trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë dhe po promovojmë agroturizmin më shumë se çdo gjë tjetër në vendin tonë”- tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në intervistën dhënë për televizionin CGTN.

Më tej, ai vuri në dukje se “Shqipëria po përpiqet të përfitojë nëpërmjet trashëgimisë së saj kulturore dhe kuzhinës për të tërhequr turistë. Nën rrugët e Tiranës, në qendër të qytetit është një labirint i bunkerëve nëntokësorë që tani është e hapur për turistët”.

Por çfarë preferojnë më shumë kinezët të shohin në Shqipëri?

Ata janë të përqendruar kryesisht te Bunk’art 1 dhe 2, muzeu i komunizmit në Shqipëri e kjo vjen ca nga orientimi që i bëjnë guidat te këto muze dhe ca për shkak të lidhjeve historike.

Qeveria shqiptare vendosi heqjen e vizave turistët nga Kina për periudhën 1 prill deri në 31 tetor 2018.

Image result for turiste kineze tirane