Transmetuar më 06-08-2018, 22:36

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar në lidhje me idenë për “korrigjim kufijsh” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të hedhur ditëve të fundit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) thotë se po ndjek me vëmendje deklaratat e ditëve të fundit mbi ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Fryma e dialogut me Serbinë dhe rezultatet e negociatave duhet të jenë domosdoshmërisht në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës, interesat kombëtare dhe ato të partnerëve strategjik SHBA dhe BE”, thuhet në deklratën e KASH.

Komunikata e plotë:

 “Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po ndjek me vëmendje deklaratat e ditëve të fundit mbi ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë duke inkurajuar çdo përpjekje të palëve dhe faktorit ndërkombëtarë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, shpreh shqetësimin për qëndrime të tejkaluara në kohë të ashtuquajtura opsioni i ‘korrigjimit të kufijve’, zhvillime të cilat kanë krijuar paqartësi në oponionin publik dhe brenda të gjithë faktorit shqiptarë. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet qëndrimet në vazhdimësi, zyrtare dhe publike të qeverive të Republikës së Shqipërisë të cilat kanë përjashtuar opsionin e korrigjimeve të kufijve për zgjidhjen e interesit kombëtarë.

Fryma e dialogut me Serbinë dhe rezultatet e negociatave duhet të jenë domosdoshmërisht në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës, interesat kombëtare dhe ato të partnerëve strategjik SHBA dhe BE. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet gjithashtu, institucionet e Kosovës përfaqësuese në dialogun Prishtinë – Beograd, të vazhdojnë me përgjegjësi këtë proces i cili është shumë i rëndësishëm për stabilitetin në rajonin tonë.

Përmbushja me sukses sfidave të brendshme që lidhet me zbatimin e reformave, luftën kundër korrupsionit, konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e mirëqenies në Kosovë, është detyrë lidershipi politik dhe detyrim i patjetërsueshëm ndaj qytetarëve dhe miqve ndërkombëtarë të Kosovës”, thuhet në deklaratën e KASH.