Transmetuar më 06-08-2018, 14:12

Në Francë gjenden aktualisht plot 130 mijë vende të lira pune të cilat nuk preferohen nga vendasit, ndaj kompanitë private kërkojnë që të pranohen emigrantë nga vende të ndryshme, përfshirë Shqipërinë.

Pohimi është bërë për mediat në Francë, nga Didier Chener, President i Grupit Kombëtar të Hotelerisë dhe Restoranteve.

Ai lëshoi apelin “na lini të marrim në punë sa më shumë emigrantë”.

Ky është një apel që restorantet dhe hotelet franceze i drejtojnë qeverisë së drejtuar nga Edouard Philippe për të lehtësuar procedurat për dhënien e kontratave të punës për emigrantet jo të rregullt që aktualisht qëndrojnë në France në pritje të procedurave të azilit si dhe për ata që kërkojnë të vijnë nga vende të tjera.

Franca është një vend me një turizëm të zhvilluar ndaj 130 mijë vende të lira pune në sektorin e bar-restoranteve dhe hotelerisë janë shifër e nevojshme për të përballuar shërbimet në këto subjekte.

Sipas mediave franceze, aktualisht ka bisedime mes qeverisë dhe këtij grupi që përfaqëson sektorin e hoteleri-turizmit për të lehtësuar në maksimum marrjen e kontratave të punës nga emigrantët në këtë vend, kryesisht ata që kanë kërkuar azil.

Sakaq, pritet që të jepen sinjale nga shteti nëse do të lejojë që të pranohen emigrantë të rinj, enkas për këto 130 mijë vende të lira pune.