Transmetuar më 06-08-2018, 08:33

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me publikimin e disa gjetjeve nga një raport i  agjencisë globale të vlerësimit financiar S&P, që sipas tij vlerësojnë performancën e ekonomisë shqiptare.

Për shefin e qeverisë vlerësimet janë aq të mira sa nuk ka nevojë për komente.

“Mirëmëngjes, dhe me këtë pasqyrim që s’ka nevojë për komente të agjencisë globale të vlerësimit financiar S&P, e cila ka konfirmuar ecurinë pozitive të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

Duke cituar raoportin më tej, shefi i qeverisë shkruan se “Shqipëria pritet të ketë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe ka pak gjasa të pësojë çbalancime fiskale ose të jashtme, gjatë tre a katër viteve të ardhshme”.

Po ashtu, në raport vlerësohet performanca fiskale sipas Ramës si dhe përpjekjet e qeverisë për luftimin e informalitetit në ekonomi.

“Performanca fiskale e vendit është përmirësuar ndjeshëm në vitet e fundit, mbёshtetur nga rritja e qëndrueshme ekonomike dhe nga një kuadёr fiskal i pёrmirёsuar, i cili tani përfshin edhe një frenim të formalizuar tё defiçitit (Ligji Organik Buxhetor). Kjo do të ndihmojë vazhdimёsinё e uljes sё risqeve që lidhen me borxhin e lartë publik.

S&P njeh përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar ekonominë informale, për të arritur statusin e kandidatit formal për pranimin në BE”, shkruan shefi i qeverisë.

Më tej ai thotë se sipas S&P “ecuria fiskale e Shqipërisë të mbetet pozitive deri në vitin 2021 dhe më e mirë se vendet me vlerësim të ngjashëm. Kjo si rezultat i pritshmërive pozitive të rritjes ekonomike dhe kontrollit të defiçitit buxhetor nga qeveria”./a.m./noa.al/