Transmetuar më 05-08-2018, 11:54

Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të tregohen krijuese dhe elastike në gjetjen e një zgjidhjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Departamenti i Shtetit thotë se “tani është koha që palët të jenë krijuese dhe elastike. Zgjidhja duhet të vijë prej tyre dhe vetë ata të mbajnë përgjegjësi për të. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të dëgjojnë dhe të ndihmojnë palët në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.”

Departamenti i Shtetit thotë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për stabilitetin rajonal. Ai do të hapte gjithashtu një rrugë të qartë për të dy vendet drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Shtetet e Bashkuara, - thuhet në deklaratë, - mbështesin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.”

Komentet e Departamentit të Shtetit pasojnë idetë e hedhura kohëve të fundit për ndarjen tokësore të Kosovës e deri te shkëmbimi i territoreve, që nënkupton që veriu i Kosovës me shumicë serbe t'i bashkohet Serbisë në shkëmbim për luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Deri tani këto nuk janë hedhur në kuadër të bisedimeve dhe janë kundërshtuar nga komuniteti ndërkombëtar, për shkak të drojës për ndikimin që mund të kenë më gjerë në rajonin e Evropës Juglindore, që ende po rimëkëmbet nga luftërat e përgjakshme të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.

Bisedimet ndërmjet të dyja palëve pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës që ka hyrë në vitin e 11-të pavarësisë dhe Serbisë që vazhdon ta kundërshtojë atë.

Por si mund të lexohet deklarata e DASH pas këtyre zhvillimeve. Është e qartë se të kërkosh nga palët në negociata që të jenë kreative në opsionet e tyre të zgjidhjes, do të thotë të sjellësh risi në ato bisedime.

Dhe këtë duket se po e bën shumë mirë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili duke lënë mënjanë edhe qeverinë e kryeministrit Ramush Haradinaj, është duke paralajmëruar mediatikisht bisedime me Serbinë për atë që ai e quan korrigjim kufijsh, e që shumë njerëz e shohin si shkëmbim territoresh.

Çfarë do të ndodhë tani? Mbetet të presim...