Transmetuar më 05-08-2018, 11:15

Tirana e një milion banorëve, e kaosit, trafikut, zhurmës, ndotjes, shtrenjtësisë dhe plot negativiteteve të tjera, megjithatë mbetet metropoli shqiptar.

Asnjë drejtues bashkie deri më sot nuk ka arritur ta kthejë kryeqytetin në një vend me standarde normale jetese, por gjithsekush prej tyre ka bërë eksperimente që më së shumti kanë dështuar dhe kanë qenë në kurriz të qytetarëve.

Megjithatë Tirana ka ca gjëra për të parë.

Dhe në këtë guidë të mëposhtme gjeni disa prej tyre…

 

Xhamia e Et’hem Beut është e vetmja ndër tetë xhamitë e shekullit XVIII-XIX të ndërtuara në Tiranë, e ruajtur deri më sot. Sipas mbishkrimeve që përmban Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, themelet e saj i hodhi në fund të shek. XVIII, Molla Beu, kurse faltoren e plotësoi i biri i tij, Haxhi Et’hem Beu në çerekun e parë të shek. XIX. Vizitorëve u ofrohet një arkitekturë e mrekullueshme e xhamisë e zbukuruar me piktura murale, sipas traditës orientale.

 

Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendas dhe i huaj, si dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai përfton, ruan dhe studion provat materiale dhe jo materiale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin dhe argëtimin.

 

Muzeu i Armëve ndodhet në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes dhe u ngrit me rastin e 100-vjetorit të themelimit të ushtrisë shqiptare. Dy pavionet kryesore janë: pavioni i epokës historike 1470-1945 dhe pavioni i viteve 1945-1990. Muzeu i armëve përmban më shumë se një mijë objekte muzeale, ku dallohen pisqolla që nga mesjeta deri në shek.XIX, kobure të dekoruara me ar e argjend, një sërë vitrinash me pushkë të llojeve të ndryshme të mesjetës, rilindjes, shpata të kohës së Skënderbeut, si dhe mjete transporti po të llojeve të ndryshme.

 

Kompleksi i Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, është ndërtuar në qendër të kryeqytetit, në një truall që u dha gradualisht nga autoritetet shtetërore (2001-2005) në kompensim të truallit të kishës së vjetër katedrale të Tiranës, e cila u shkatërrua nga regjimi ateist më 1967. Për studimin arkitekturor të veprës, në vitin 2002 u zhvillua një konkurs ndërkombëtar, ku fitues u shpall zyra “Papadatos Partnership LLP Architects”, nga Nju Jorku. Në vijim, projektit fillestar iu bënë përpunime të mëtejshme.

 

Kisha Katolike e Shën Palit u ndërtua në fund të vitit 2001. Ajo është ndër katedralet më të reja dhe njëkohësisht më e madhja në Tiranë. Emri i saj kujton Apostulin Pal si ungjillizuesin e parë të trojeve shqiptare, në vitin 52 pas Krishtit. Në një letër drejtuar romakëve, Shën Pali deklaron se  “… ka çuar fjalën e shenjtë deri në Iliri…”. Në ambientet e kishës është një statujë e Nënë Terezës. Gjithashtu, figura e saj gjendet e punuar edhe në xham në njërën nga ambientet e katedrales.

 

Varrezat e Dëshmorëve kanë një sipërfaqe kryesisht të gjelbër. Shtrihen në 94.488 m². Në të ndodhet Monumenti “Nëna Shqipëri”, 12 metra i lartë, i cili u përurua në varrezat “Dëshmorët e Kombit” më 1971.

 

Kulla e Sahatit e Tiranës është ndërtuar në vitin 1822. Ajo ka 90 shkallë në formë spiraleje dhe është 35 metra e lartë, e cila deri në vitin 1970  ka qenë ndërtesa më e lartë e kryeqytetit. Fillimisht, kishte një kambanë të sjellë nga Venecia, e cila binte çdo një orë. Kupola e vendosur në majë i jep asaj një arkitekturë të tipit San Marko. Kulla e Sahatit është e hapur për turistët që prej vitit 1996. Ajo është gjithashtu, simbol i emblemës së Bashkisë së Tiranës.

 

Mozaiku i Tiranës ndodhet në rrugën “Naim Frashëri” dhe është monumenti më i vjetër në Tiranë. Studiuesit mendojnë se kemi të bëjmë me një vilë të periudhës romake të shekullit III pas Krishtit, ku dyshemeja e ambienteve kryesore është e zbukuruar me mozaikë. Më vonë, objekti përshtatet dhe përdoret si kishë paleokristiane, duke filluar nga mesi i shekullit IV e në vazhdim. Mozaikët përmbajnë kryesisht motive gjeometrike, por edhe motive tipike të krishtërimit të hershëm.

 

Varri i Kapllan Pashës. Feudalët e mëdhenj e bënë zakon të ndërtonin tyrbe, nga të cilat sot qëndron në këmbë  edhe varri monumental i Kapllan Pashë Toptanit vdekur në 1819. Dikur ajo qëndronte përballë tyrbes së Sulejman Pashë Bargjinit dhe Xhamisë së Vjetër, sot përballë monumentit të Ushtarit të Panjohur. Ajo është në formë tetëkëndëshi, mjaft interesante për kolonat monolitike, për kapitelet e silizuara korintike dhe për tetë harqet e dekoruara me nga një gjethe akanthi të stilizuar në reliev, njëri prej të cilëve përmban mbishkrimin që flet për Kapllan Toptanin, por që sot është i palexueshëm. Është një tyrbe e hapur, pa çati dhe pa kube.

 

Kalaja e Tiranës është ndërtuar nga njëri prej pasardhësve të themeluesit të Tiranës, Sulejman Pashë Bargjini (1604), Ahmet Pashë Bargjini, në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. Në vitin 1798, kalaja bie në duart e familjes Toptani nga Kruja. Krahas kësaj, vizitorëve u ofrohen të shikojnë edhe gjurmët e reja të kalasë së Tiranës të zbuluara dhe restauruara kohët e fundit dhe të ndërthurura këndshëm me kontekstin dhe infrastrukturën përreth.

 

Piramida, njohur dikur si “Muzeu Enver Hoxha”, gjendet në rrugën  “Papa Gjon Pali II”. Struktura unike në formë piramide është projektuar nga e bija e diktatorit komunist Enver Hoxha, e cila u përurua në vitin 1988 dhe ka shërbyer si një muze në trashëgiminë e tij deri në vitin 1991. Sot, zyrtarisht njihet si “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës Pjetër Arbnori”. Pavarësisht copëtimit të dalëngadaltë dhe pothuajse afër shkatërrimit, ajo mbetet një copëz e arkitekturës së periudhës komuniste.

 

Ura e Tabakëve, e mori këtë emër për shkak të pozitës së veçantë të esnafit të Tabakëve në jetën ekonomike dhe shoqërore të Tiranës në shekujt XVII-XVIII. Ka një strukturë të gurtë, të formuar me dy harqe dhe e shtruar me kalldrëm. Ura përbëhet nga një hark kryesor, mbi të cilin ngrihet ura në formë kurrizi. Ky hark e ka hapësirën e dritës 8 metra dhe është ndërtuar me 2 rreshta harqesh anësorë me trashësi 1 metër. Lartësia nga niveli i ujit ishte 3,5 metra. Kalldrëm me gjerësi 2,5 metra, ndërtuar me gurë lumi të vendosur pa ndonjë rregull. Në të dy anët e harkut kryesor janë ndërtuar 2 harqe në formë segmentesh rrethor.

 

Memoriali “Post Bllok” përkujton viktimat e regjimit komunist në Shqipëri. Memoriali përbëhet nga tre objekte origjinalë: bunkeri i instaluar pikërisht në këtë vend, në hyrje të Bllokut qysh në kohën e diktaturës, shtyllat e galerisë, të marra nga miniera e kampit famëkeq të persekucionit, i cilësuar edhe si “aushvici” i shqiptarëve, ai i Spaçit dhe një copë nga muri i Berlinit, dhuratë që i është bërë Bashkisë së Tiranës nga Bashkia e Berlinit. Ky memorial, i ideuar nga ana artistike nga Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi, vjen si homazh për të gjithë ata që vuajtën izolimin dhe persekutimin komunist, por edhe si kujtesë për të shkuarën tonë jo të largët.