Transmetuar më 05-08-2018, 10:52

Viti në vijim dhe ai në vazhdim do të jenë vendimtare në ngritjen e themeleve të njërit prej resorteve më të mëdhenj rekreativo-sportiv në Ballkan. “Borea Ski Resort” inauguroi të enjten më datë 2 Gusht 2018 fillimin e projektit, pas përzgjedhjes të konsorciumit, që do të projektojnë dhe dizenjojnë kompleksin më të ri turistik, i cili do të ngrihet në zonën e njohur si “Bjeshkët e Namuna” në Komunën e Pejës, në Kosovë.

DEA Studio nga Shqipëria në partnership me Vizion Project nga Kosova me projektin e propozuar, u zgjodhën fitues të konkursit të hapur ndërkombëtar ndërmjet më shumë se 40 projekteve të prezantuara ku një juri e veçantë e përbërë nga specialistë përfaqësues të konsorciumit, që do të financojë projektin dhe specialistë të Komunës së Pejës, zgjodhën fituesin e këtij projekti.

“U vlerësua si fituese ideja e konsorciumit tonë, i cili sintonizon maksimalisht interesin publik të Komunës Pejë me interesin privat të “Resortit Borea”. Falë konceptit të ndërhyrjes urbane, strukturës ekzistuese të qytetit i injektohet vlerë bashkëkohore me propozimin e një shëtitoreje të re rreth 1.2 km nga qendra e Pejës deri në sheshin e ri fundor “Borea” ku përqendrohet edhe graviteti kompozicional hapësinor i kompleksit hotelier “Borea”, me kulmim arkitekturor të spikatur dekonstruktivist me stacionin e teleferikut ku edhe starton rrugëtimi i klientelës së skive drejt kompleksit rekreativ-sportiv në lartësitë e Bjeshkvëve të Namuna”, – thotë një prej drejtuesve të DEA Studio. Arkitektura e kompleksit, vazhdon me tej ai, identifikohet me një siluetë të ndryshueshme, dinamike, që përngjan dhe shkrihet me siluetën e maleve në sfond të tij, duke e identifikuar qartazi atë ndërmjet shumë resorteve të të njëjtës natyrë në turizmin botëror malor.

Konsorciumi Franko-Italo-Zvicerian që do të financojë kompleksin është “Leitner AG SPA & FILAV SA”. Leitner Ropeways është një nga ekspertët, lider botëror të ndërtimit të impianteve të skive dhe teleferikëve që prej vitit 1988. Me këtë projekt konsorciumi financues synon të krijojë një pol të ri, pikë referimi për sportet dimërore në të gjithë rajonin. Ky resort pritet të rrisë në mënyrë të konsiderueshme ofertën turistike të krahinës së Dukagjinit në vitet në vazhdim, duke qenë njëkohësisht edhe një ofertë perfekte mbarëkombëtare e Shqiptarëve.

Jo vetëm gjatë sezonit të dimrit, por një kompleks i cili do të mund të ofrojë kënaqësi çlodhjeje gjatë gjithë vitit me natyrën, freskinë dhe pamjen e njërës prej zonave më të bukura të Rajonit gjatë gjithë harkut vjetor jo vetëm me sportet dimërore të skive, por edhe hiking, mountainbiking, skateboard, roller, etc.

Investimi prej më shumë se 60 Milionë Euro, planifikon në fazën e parë ngritjen e një kompleksi pritjeje, hotel me 5* me një numër prej gati 200 dhomash, një strukturë apart-hotel me gati 100 dhoma, stacionin e nisjes së teleferikut më modern në Ballkan, qendrën për trajnimin e skive dhe snowboard, një mini-qendër tregtare, 250 vende parking të mbuluar dhe facilitete të tjera dhe në fazën e dytë e cila pritet të përfundojë brenda 3 vitesh nga fillimi i punimeve, planifikon ndërtimin e pistave të skive në lartësitë e Bjeshkëve të Namuna me standardet më të larta ndërkombëtare të sigurisë dhe të funksionalitetit. /noa.al/

Më shumë informacion gjeni këtu, si dhe këtu.