Transmetuar më 04-08-2018, 17:34

Nga Artan Fuga

Andej kanë dalë deputetët, ministrat, profesorët, biznesmenët, drejtorët, kryeministrat, aktorët, opozitarët, varfanjakët, bixhozçinjtë, trafikantët, të papunët, të gjithë ne andej kemi dalë!

Disa pyesin : Pse nuk po ecim drejt përparimit?

Pse nuk kemi një qytetar aktiv?

Pse pajtohemi me të keqen dhe i kthejmë shpinën të mirës?

Pse bëjmë sikur nuk shohim që poshtërohemi?

Ja ky objekt i shpjegon deri në një farë mase këto. Ta shohin ata që janë lindur në këtë shekull sepse mbase kujtojnë se është ndonjë enë bronxi e epokave të stërlashta greke që këta na i paraqesin si ilire.

Jo, është një marifet që quhej furnellë vajguri. Aty bëhej grosha, zjehej, dhe e gjithë banesa deri te çarçafët e shtratiit vinin era grosh përzjerë me vajguri.

Ja pse ka shqiptarë që nuk kanë ngopje të vjedhin të tjerët. Sepse kanë dalë nga aroma groshe përzjerë me vajguri dhe me aroma gazrash që grosha prodhon në stomah.

Por, për të marrë vajgurin e duhur duhej të bëje po aq luftë sa edhe shtetet arabe me Izraelin për fushat naftëmbajtëse. Duhej të prisje të dëgjoje thirrjen e autobotistit të vajgurit ditën e djelë në mëngjes : Hajde vajguriiiiiiii! Ose duhej të ngrije vajguri në bidona metalikë që mbanin benzinë automjetesh, bidona të vjedhur kushedi se ku. Pa duhej të mbaje radhët e gjata për vajguri që dukeshin si vargane mortore burrash në kërkim të një kokrre misri sikurse e ka paraqitur Migjeni.

Kishte parë Migjeni burrin të poshtërohej për një kokër misër, por nuk e kishte parë të poshtërohej për një litër vajguri.

Te gjitha banesat ishin si depo karburanti. Vinin era vajguri. Për ta përballuar, familjet tona të mira, nisën tëe gatuajnë në  ëc, ose shqip nevojtore, por fare shqip në halé. Por shpesh dera e hales hapej e mbyllej dhe në të gjithë apartamentin përziheshin tani katër aroma që na shoqëronin të gjithë ditën.

Aroma e halesë.

E vajgurit.

E groshës.

E gazrave që dilnin nga tubi tretës në nënndejtëset tona nga grosha e pazjerë sic duhej.

Halli më i madh i gruas ishte kur në punë, në mes të shoqeve bërtiste me histeri: Uuuuuu qyqja kam harruar furnellën e vajgurit ndezur!

Përgjegjësi i jepte leje menjëherë.

Ja pse ka shqiptarë që na grabisin, na vjedhin, na poshtërojnë, na bëjnë të vuajmë. Sepse nuk e kanë inatin me ne thjesht, e kanë me faktin që kanë qenë të poshtëruar nga furnella me vajguri. Hanin bukë, bënin seks, prisnin miq, festonin ditëlindje nën aroma vajguri, groshe, pordhësh, fekalesh. Nuk ju del e keqja veçse duke shkelur me këmbë të tjerët për të marrë hakun e poshtërimit që u ka bërë furnella me vajguri.

Ja pse na vjedhin pronën, na lënë pa punë, na përqeshin, na tallin te televizionet e tyre, sepse e dinë se kush jemi. Këta pordhacë vajguri, këta bij të vajgurit, këta këlysha të furnellës me vajguri, që janë rritur e kanë dalë nga furnella e vajgurit, këta durojnë gjithshka.

Këtyre edhe mut t’u japësh e hanë!

Kemi dalë nga furnella e vajgurit, e cila në pjesën e sipërme me kohë zinte shtresa të ndryshme gjellësh të djegura me vaj. Vaji ishte kanceroz sepse furnella me vajguri lëshonte një zjarr të papërmbajtur, që digjte cdo tenxhere alumini, hekuri a bakri dhe nuk kishte herë që mbi të të mos derdhej qumështi, i bërë nga qumështi pluhur përzjerë me ujë, të mos derdhej lëngu i groshës, i preshave, të mos derdhej kafja, a uji i zjerjes të rrobave të pshurura të bebeve që zjenin me orë të tëra, aa të fashove që zjenin nga mëngjesi në darkë.

Vaji ku skuqje ndonjë vezë përvëlohej cdo herë nga furia e zjarrit të furnellës me vajguri. Ja pse edhe rrobat mbanin aromë vaji të djegur. Të gjitha puthjet e dashurisë në gjimnaze, rrugica, cepe pallatesh, mbanin aroma vaji të djegur që dilte nga palltot e vjetra ose kanatjeret e pista.

Një mbishtresë kafeje, lëngjesh urinare, lëng groshe, qumështi e gjithëfarësojj bëhej si gur mbi furnellë, kur kjo ftohej, dhe me pak kujdes, kur e fërkoje me letër xumpare, mund të konstatoje të gjithë historikun e furnellës të shkretë.

Për ne gjeneracionin e furnellës më vajguri, vendi më i përshtatshëm për të menduar ishte haleja. Ja përse ne kemi menddime haleje, ja përse shpesh mendimet tona vijnë era fekale, fjalët politike kanë aq shumë fekale brenda.

Shkonte qytetari urban në hale dhe aty duke kryer nevojat e tij ishte njëherazi edhe në studion e punës intelektuale, edhe në dhomën e gjumit sepse aty përgjumej duke ëndërruar, edhe në guzhinë a në dhomën e ngrënies sepse aty mbi furnellën me vajguri zihej grosha a valohej qumështi, ishte edhe në  ëc e cila pra ishte bërë multifunksionale.

Ulur në galiç mbi  ëc alla turka ose ata më të pasurit mbi  ëc alla frënga, qytetari urban kryente nevojat dhe duke parë flakën blu në të kuqe të furnellës me vajguri, hundët e zëna nga aroma gjellësh, ndoshta ëndërronte të ardhmen e tij dhe të vendit në shekullin e njëzetenjë. Shqipëria çfarë ishte dhe çfarë do të bëhej!

Ja nga kjo teknologji kemi dalë.

Shqiptari legjendar i netëve rreth vatrës të zjarrit, aty ku na thuhet se është ngjizur arti tradicional, fyelli, sharkija, ciftelia, mandolina, atje ku bëheshin bisedat e burrave dhe thurrej folklori si forma më e lartë e rrëfimt historik, ende e paarritur nga historianët tanë të sotëm, u bë banori i pallatesh me punë vullnetare që mblidhej e pështillej rreth furnellës me vajguri.

Nga vatra te furnella me vajguri.

Pse cuditemi që edhe celularin sot ta përdorim si furnellë vajguri! Nuk e ndajmë as në halé.

Unë i propozoj kandidatëve për kryetar në bashkinë e Tiranës, që diku aty nga Pazari i Ri, të imagjinojnë ngritjen e një instalacioni gjigand, një furnellë vajguri, e cila të jetë simboli i strukturave arketipike të neurozave tona kolektive që prodhojnë pikërisht sot një përzjerje aromash fekalesh, deliresh politike, propagandash halesh, dëshirë për të ngrënë mish në restorante, si edhe për t’i hedhur lekët vetëm në karburant veturash të plakura a zuska të reja (aroma e vajgurit na ndjell), pra në një qytetërim ku ajo që ha dhe ajo që nxjerr nga tubi digjestiv nuk dallohen më nga njera tjetra.

Ne, gjeneracioni i dalë nga një furnellë vajguri.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al