Transmetuar më 04-08-2018, 12:10

“Një lajm shumë i mirë!” Kështu e ka cilësuar Kryeministri Edi Rama, vendimin e marrë së fundmi nga NATO.

Mesditën e kësaj të shtune, kreu i qeverisë ka bërë me dije se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.

Ai thotë se me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, NATO do të investojë mbi 50 milionë euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës.

Po ashtu bën me dije se përmes këtij projekti, i cili pritet të nisë brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror; mbështetje logjistike; mbështetje për policimin ajror; si dhe trajnime dhe stërvitje të Aleancës.

Kryeministri deklaron më tej se Kuçova do të shërbejë njëkohësisht edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe ky Investim strategjik i NATO-s në Shqipëri, do të sjellë një standard të ri për Forcat tona të Armatosura.

“Padyshim, një investim i këtyre përmasave krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik e social të gjithë rajonit ku planifikohet ndërtimi i kësaj baze të re ajrore të teknologjisë së fundit”, shkruan Rama.

Ai thotë se paralelisht, po zhvillohen diskutime direkte me partnerin tonë strategjik, SHBA, për modernizimin e mëtejshëm kapaciteteve ajrore shqiptare.

“Së shpejti, pritet qe vendimet e përbashkëta të këtyre diskutimeve do të shkojnë për miratimin e Kongresit Amerikan”, deklaron Rama në mbyllje të qëndrimit të tij. /a.y/noa.al