Transmetuar më 03-08-2018, 13:04

Kryeministri Edi Rama ka publikuar ditën e sotme raportin 10-mujor të platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al.

Rama thotë se bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm, në 10 muaj ka marrë jetë si një praktikë efikase ndërveprimi mes qytetarëve dhe qeverisë, duke dëshmuar vlerën dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm për Shqipërinë që suam.

Ai bën me dije se 9.454 qytetarë pa dallim moshe, gjinie, statusi social, bindjeje e përkatësie politike, numërohen sot, 10 muaj nga ndezja e platformës, si përdorues e kontribues të koalicionit tonë bashkëqeverisës për Shqipërinë që duam.

Po ashtu thotë se, me vetëm një mesazh, në adresën shqiperiaqeduam.al qytetari ka në dispozicion të drejtpërdrejtë qeverinë, përmes ministrit përkatës që adreson menjëherë rrugën e trajtimit të përmbajtjes së mesazhit të qytetarit.

“Zgjidhja përmes kësaj platforme, në vetëm 10 muaj, e 13,694 halleve e problemeve konkrete të njerëzve konkretë të këtij vendi, është një afirmim kuptimplotë i këtij mekanizmi inovativ që fuqizon qytetarin. Vendos qeverinë gjithnjë e menjëherë në krah të tij. Garanton ndërveprimin e suksesshëm mes tyre në të mirë të çdo qytetari dhe identifikimin e punonjësve që duhet të mbajnë përgjegjësi për mosdhënien e shërbimeve të duhura për qytetarët. Nuk ka më asnjë dyshim!”, shprehet Kryeministri.

Ai shton se platforma shqiperiaqeduam.al është rruga e re, e shkurtër dhe e shpejtë, për të zgjidhur së bashku hallet e problemet tuaja me administratën.

Rama thotë shqiperiaqeduam.al është edhe fuqia e përbashkët kundër parazitizmit e korrupsionit në zyrat e shërbimeve të shtetit për qytetarin.

“Mos ngurroni dhe as mos humbni kohë! Zgjidhni shqiperiaqeduam.al për të zgjidhur hallin a problematikën Tuaj, duke e përcjellë fjalën Tuaj drejt e në qeveri dhe kësisoj ndikoni edhe që, hap pas hapi, në çdo zyrë të shtetit tonë njerëzit e zakonshëm të marrin në kohë e me cilësi, shërbimin që meritojnë”, thotë në mbyllje të qëndrimit të tij për raportin, të cilin e gjeni të plotë duke klikuar këtu. /a.y/noa.al