Transmetuar më 03-08-2018, 12:30

Partia Demokratike thotë se katërfishimi i pikave të basteve në Shqipëri nuk është thjesht një marrëzi e Edi Ramës, por është një plan korruptiv i mirëmenduar për t’i dhënë të vëllait, Olsi Rama, miliona euro fitime nëpërmjet koncesionit të mbikëqyrjes së lojërave të fatit.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, në një dalje të sotme për mediat nga selia blu, tha se në shkelje të çdo ligji, kontrata e koncesionit nuk është bërë asnjëherë publike dhe Ministria e Financave vazhdon të fshehë sesa do ta rëndojë buxhetin ulja e taksave për bixhozin.

Sipas saj, ajo që dihet deri tani është se me ligjin e vitit 2015, Edi Rama detyron pikat e basteve të bëjnë pagesën e mirëmbajtjes së sistemit jo në shtet, por tek kompania koncesionare.

“Kjo do të thotë se sa më shumë pika bastesh të operojnë në Shqipëri, aq më i madh është fitimi i kompanisë koncesionare që, zyrtarisht, operon në emër të ortakut të vëllait të kryeministrit. Kjo është arsyeja pse në treg, në vitin 2013 ishin 928 pika bastesh dhe 4 vjet pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, pikat e basteve janë katërfishuar, duke numëruar 4230 pika bastesh”, u shpreh Tabaku.

Në këtë linjë shtoi, se Rma që, dikur sipas saj, përbetohej për mbylljen e pikave të basteve dhe mashtronte shqiptarët se ishte kundër bixhozit, e ka përdorur pushtetin për t’i dhënë të vëllait monopolin e tregut të bixhozit.

Ajo sqaroi se nga njëra anë ligji përcakton se asnjë qindarkë nga tarifa e mirëmbajtjes së pikave të basteve nuk shkon në buxhetin e shtetit dhe nuk përdoret për interes publik, por mbush me miliona euro llogarinë e vëllait të kryeministrit.

Ndërkohë nga ana tjetër, siç tha Tabaku, ligji i jep Olsi Ramës monopolin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të tregut të bixhozit, duke e dhënë me koncesion shërbimin tek një kompani e vetme, e cila, sipas ligjit korruptiv të vitit 2015 do ta ketë këtë të drejtë për 30 vjet.

“Ky është momenti i duhur për të sjellë në vëmendje se me ligjin e 2015-ës për lojërat e fatit, Edi Rama jo vetëm nuk i largoi pikat e bixhozit nga qytetet dhe nga shkollat, por u uli atyre taksat në mënyrë të ndjeshme. Kur ligji të hyjë në fuqi në 1 janar 2019, tatimi mbi fitimin e biznesit të bixhozit nuk do të jetë më 25%, por gati është përgjysmuar, në 15%”, deklaroi Tabaku.

Ajo tha se Edi Rama po e shtyn prej 3 vjetësh hyrjen në fuqi të zbatimit të ligjit për t’i dhënë mundësi bixhozit dhe pikave të basteve të zgjerohen dhe, në këtë mënyrë, kompanisë koncesionare të të vëllait, t’i shtohet fitimi.

Në vijim të fjalës së saj, Tabaku shtoi se Partia Demokratike është e vendosur të anulojë çdo ligj selektiv, çdo koncesion që është monopol dhe çdo favorizim nga ata që sot qeverisin me krimin e organizuar dhe po pastrojnë paratë në ekonomi.

Ajo e mbylli fjalën duke thënë se rishikimi i ligjit antimafia do të sigurojë që çdo qindarkë e krimit të organizuar dhe korrupsionit të kthehet në ekonomi. /a.y/noa.al