Transmetuar më 28-08-2018, 12:06

Nënkryetarja e komisionit të Ekonomisë, deputetja demokrate Jorida Tabaku, akuzon me dokumente në duar Kryeministrin Edi Rama, duke thënë se i ka dhënë 15 milionë euro tendera baxhanakut të tij.

Në një dalje nga selia blu ditën e sotme ajo tha se për të përfituar një tender publik është e domosdoshme që të jesh edhe brenda rrethit familjar të kryeministrit Rama, oligark brenda kryeministrit, ose kriminel me rekorde kriminale.

“Firma ABS që Partia Demokratike po denoncon sot, jo rastësisht është e lidhur me familjen e kryeministrit, ka mundur të përfitojë 15.6 milionë euro tendera nga shtatori 2013 deri më sot. Kompania “Advanced Business Solutions” zotërohet në bashkëpronësi nga baxhanaku i kryeministrit Armand Frangu, i cili së bashku me kompaninë B360 marrin pjesë gjithmonë në të njëjtat tendera, gjithmonë duke ndarë përfitimet me njëri-tjetrin. Si rregull për ta bërë garën në dukje të ligjshme, por nga ana tjetër është thjesht vetëm një farsë”, u shpreh Tabaku.

Ajo tha se në tenderin e fundit të ofruar nga OSHEE me një vlerë prej 1.94 miliardë lekësh të vjetra, kompania ABS ka pasur ofertën më të lartë dhe përsëri ka fituar.

Ndërkohë që sipas saj, kompania “B360 sh.p.k” ka marrë pjesë në këtë tender si spektator.

Në emër të PD, Tabaku publikoi dokumentet e 27 tenderave që kjo kompani ka fituar nga shtatori 2013 e deri më sot, duke thënë se të gjitha këto tendera janë qoka që kryeministri ka rezervuar nga tepsia e parave publike, për njeriun e familjes së tij.

Sipas saj, tenderi më i fundit i marrë nga kompania e tij nga AKSH-i, ka një vlerë prej 1.56 miliardë lekësh dhe përsëri ka fituar oferta më e lartë.

Ajo denoncoi se tenderat që i shpërndahen oligarkëve, ofiqarëve të PS-së, të inkriminuarve që mbajnë me oksigjen deputetët e mazhorancës dhe së fundi familjen e kryeministrit, janë një provë e rëndë për krimin që po kryhet me tenderat publik në Shqipëri.

Deputetja demokrate tha se këto janë një tjetër dëshmi që provon akuzën e ngritur nga Partia Demokratike dhe faktuar edhe nga Gjykata e Auditit të Bashkimit Europian se 1 në 3 tendera jepet pa garë, 1 në 3 tendera jepet abuzivisht.

“Jo vetëm kaq, shembulli i kompanisë së baxhanakut të Ramës, dëshmon edhe raportimet e Departamentit Amerikan të Shtetit që thekson se “Raportet e korrupsionit në prokurimin e qeverisë janë të zakonshme.” Vetëm për vitin 2017 sipas të dhënave publike të disponueshme online nga Agjensia e Prokurimit Publik, 1281 ose 26% të tenderave të prokuruar, janë dhënë me ofertën më të lartë”, deklaroi Jorida Tabaku.

Në këtë linjë tha se kjo i ka kushtuar buxhetit të shtetit 41 milionë euro, që mund të ishin përdorur për ndihmën ekonomike, që mund të ishin përdorur për mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve në Shqipëri.

Në vijim të qëndrimit deputetja demokrate deklaroi se prokurimet publike janë dëshmi e qartë e dështimit të turpshëm dhe vjedhjes së hapur që një qeveri e korruptuar ka prodhuar nga shtatori i vitit 2013 e deri më sot.

Ajo tha se Partia Demokratike angazhohet që çdo tenderim abuziv, ta çojë përpara ligjit.

“Angazhohet për të ndryshuar ligjin e koncesioneve, Ligjin e PPP-ve dhe Ligjin e Prokurimeve, për të siguruar një garë të hapur, duke besuar se vetëm me një garë të hapur mund të çlirohet ekonomia, mund të vijnë investimet e huaja, mund të rritet punësimi.

Kjo që po i ndodh sot ekonomisë është thjeshtë kapja e radhës nga kryeministri dhe familjarët e tij”, deklaroi në mbyllje deputetja demokrate. /a.y/noa.al