Transmetuar më 27-08-2018, 15:12

Në kulmin e debatit për korrigjim të kufijve, Komisioni Europian ka reaguar përmes zëdhënëses Maja Koçijançiç.

Në një dalje për mediat, ajo ka thënë se Kosovës dhe Serbisë duhet t’iu jepet hapësirë që të merren vesh për përmbajtjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

Kocijançiç tha se BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut, nuk mund t’i komentojë elementet e mundshme të marrëveshjes, por do të vazhdojë të punojë në mënyrë intensive me të dyja palët për arritjen e një dakordësie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, e cila do të mbështetet nga bashkësia ndërkombëtare.

Koçijançiç theksoi se “zgjidhja e përhershme nënkupton zgjidhje të qëndrueshme dhe reale, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

E pyetur nga gazetarët nëse BE pranon ndryshimin e kufijve, shkëmbim të territoreve dhe territore të pastra etnike, Koçijançiç tha se nuk dëshiron të futet në spekulime dhe detaje “në këtë fazë të fundit të dialogut”. /k.k/noa.al/