Transmetuar më 27-08-2018, 10:00

Kërcënohet me jetë kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoni, Ziadin Sela.

Kërcënimi ndaj tij është bërë nga faqja në Facebook, “Makedonski Lavovi” (Luanët maqedonas).

Kërcënimi ndaj tij vjen vetëm pas deklarimit të tij dje se përpara ndryshimeve kushtetuese, duhet bërë një marrëveshje përfundimtare mes maqedonasve dhe shqiptarëve në mënyrë që njëherë e përgjithmonë t’u jepet fund konflikteve të brendshme midis qytetarëve në Republikën e Maqedonisë.

Në kërcënimin e “Luanve maqedonas”, thuhet se Selës duhet ti këputet koka.

Siç raporton agjencia e lajmeve INA, me këtë deklaratë, përveç se publikisht shprehet mllefi ndaj kërkesës natyrale të kryetarit të Aleancës, Ziadin Selës, publikisht pranohet se Kire Georgievski, i cili u fotografua duke qarë gjatë gjykimit të 27 prillit dhe në të cilën mbrohej se ka ndihmuar Ziadin Selën, e ka kryer pikërisht atë për të cilën edhe është dënuar.

“Si duket Ziadin Sela vazhdon të jetë target i huliganëve maqedonas, të cilëve nuk u pëlqen deklarimi i Ziadin Selës pro NATO­s dhe EU­së, por me ndryshime kushtetuese në të cilën shqiptarët do të jenë përfundimisht të barabartë me maqedonasit”, janë komentet dhe kundërpërgjigjet e lexuesve shqiptarë në rrjetet sociale, duke komentuar këto kërcënime.

Po ashtu bëhet thirrje që organet e rendit menjëherë të ndërmarrin masa për zbulimin e autorëve të këtij grupi që kërcënon me jete dhe nxit urrejtje.