Transmetuar më 24-08-2018, 15:09

Zgjedhja për të veshur bokser ose mbathje normale, mund të mos jetë më vetëm një çështje estetike për meshkujt. Të paktën bazuar në një studim amerikan të publikuar në revistën shkencore “Human Reproduction”.

Në të thuhet se meshkujt më pjellorë janë ata që veshin bokser, për shkak se stimulohet një përqendrim më i madh spermatozoidesh.

Studimi i zhvilluar nga Harvard TH Chan School of Public Health dhe Fertility Clinic në Massachusetts General Hospital, është më i madhi në llojin e tij që flet për lidhjen mes të brendshmeve të meshkujve dhe cilësisë së spermës.

Gjatë tij janë marrë kampionet e spermës së 656 meshkujve me moshë nga 32 deri në 39 vjeç, të cilët bënin pjesë në çiftet që dëshironin të kishin fëmijë.

Mes pjesëmarrësve studimi zbuloi se 53% e meshkujve, vishnin rregullisht bokser.

Sakaq analizat në kampionet e spermës treguan se këta meshkuj kishin 25% më shumë përqendrim spermatozoidësh dhe 17% më cilësore në raport me meshkujt që mbanin mbathje të zakonshme.

Po ashtu te ky grup meshkujsh u konstatua një lëvizje më e madhe spermatozoidesh, të cilët arrinin të fekondonin një vezë tek femrat, shkruan noa.al.

“Të brendshmet kanë ndikim te pjelloria e meshkujve. Këto rezultate tregojnë se një ndryshim në mbathjet e meshkujve mund të përmirësojë mundësinë për të konceptuar një shtatzëni”, deklaron Lidia Mi’nguez-Alarco’n, autore kryesore e studimit.

Megjithatë nënvizohet se nuk mund të flitet për një lidhje shkak-pasojë, mes të brendshmeve dhe pjellorisë, për shkak se ka një sërë faktorësh të tjerë që pengojnë aftësitë riprodhuese të meshkujve. /a.y/noa.al