Transmetuar më 23-08-2018, 10:27

Departamenti për organizatat jo-qeveritare në Ministrinë e Administratës Publike të Kosovës ka marrë këto ditë një vendim të beftë për pezullimin e aktivitetit të Qatar Charity (Fondacioni për Bamirësi i Katarit) në territorin e Republikës së Kosovës.

Vendimi bazohet në kërkesën e Organit Kompetent të Sigurisë dhe në informacionet e institucioneve kompetente, por pa përcaktuar se cili është ky organ apo institucione kompetente, sipas të cilave Organizata “Qatar Charity” zhvillon aktivitete që janë në kundërshtim me fushën e veprimtarisë së saj dhe që bien ndesh me interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës.

Nga ana e saj, Zyra e “Qatar Charity” në Kosovë shprehu tronditjen dhe habinë e saj të thellë për këtë vendim të papritur të administratës së Kosovës, duke theksuar se asnjë autoritet apo institucion zyrtar kosovar nuk ka shprehur kurrë më parë ndonjë vërejtje rreth veprimtarisë së këtij fondacioni bamirës. Përkundrazi, gjithçka ka marrë deri më tani ky fondacion nga autoritetet qendrore e vendore të Kosovës kanë qenë falënderime e letra mirënjohjeje për kontributin e veçantë në ndihmë të shoqërisë kosovare dhe të shtresave në nevojë.

Zyra e “Qatar Charity” në Prishtinë theksoi se të gjitha projektet e saj janë realizuar në marrëveshje dhe bashkëpunim me autoritetet zyrtare të Kosovës veçanërisht me kryetarët e komunave, ku pas marrëveshjeve të bashkëpunimit janë ngritur komitete të përbashkëta për mbikëqyrjen e projekteve që nga fazat fillestare e deri në zbatimin dhe dorëzimin e plotë të tyre.

Qatar Charity siguroi se përgjatë gjithë aktivitetit të saj, ajo i është përmbajtur me rigorozitet të plotë zbatimit të aspekteve dhe rregullave ligjore në Republikën e Kosovës, transaksionet financiare janë kryer në çdo rast përmes veprimeve bankare, dhe se raportet vjetore të auditorit financiar ligjor nuk kanë shënuar asnjë vërejtje kundrejt fondacionit.

Që nga hapja e zyrës së saj në Kosovë, Qatar Charity ka kontribuar me më shumë se 17 milionë euro në projekte zhvillimore dhe humanitare për popullin dhe shtresat në nevojë të Kosovës, krahas vijimit të 3000 ndihmave mujore për fëmijët bonjakë, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në vështirësi ekonomike (me rreth 1.5 milion euro në vit), 350 projekte gjenerimi të ardhurash për familjet e vobekta, hapjen e mbi 500 puseve të ujit të pijshëm në komuna dhe zona të ndryshme, rikonstruksione të godinave të banimit, si dhe shërbime të tjera sociale për komunitetin pa dallim etnie, feje apo gjinie.

Fondacioni i Katarit është një nga institucionet më të mëdha humanitare ndërkombëtare në botë dhe punon në fushën e zhvillimit dhe veprimit humanitar pa dallim race, feje, ngjyre ose gjinie në më shumë se 70 vende të botës, duke realizuar një rekord të gjatë partneriteti strategjik me shumicën e agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe institucionet ndërkombëtare dhe rajonale.

Në rast të zbatimit të tij, ky vendim do të prekë shtresat më në nevojë të shoqërisë të cilat janë dhe përfituesit kyesorë të aktivitetit të Qatar Charity, si pasojë e ndërprerjes së projekteve zhvillimore dhe humanitare me vlerë vjetore totale 3 milion euro në Republikën e Kosovës, si dhe mund të ndikojë negativisht në projektet zhvillimore të ardhshme në Kosovë.