Shqipëria dhe Greqia, sa afër dhe larg
Transmetuar më 21-08-2018, 19:19

Në jodin dhe kripën e Jonit u rrita dhe kam mbresa e kujtime shumë të bukura nga fëmijëria në qytetin bregdetar të Sarandës. Por, fatkeqësisht, tashmë janë bërë më shumë se 10 vjet që nuk preferoj të kaloj pushimet në këtë qytet.

Jo se s’kam mall për rrënjët e mia, por sepse më “mbyt” makutëria që ka pushtuar këdo që ka një biznes në jug. Fillimi i korrikut shënoi edhe pjesën e parë të pushimeve të mia verore, që të them të drejtën zgjodha edhe këtë vit t’i kaloj matanë kufirit.

Kjo për një sërë arsyesh, si financiare ashtu edhe mjedisore. Kushdo që është rritur në Sarandë e di që tashmë qytetin tonë e ka “pushtuar” betoni, e sikur të mos mjaftojë kjo, kemi edhe abuzimet me çmimet që fillojnë që në nisje të sezonit.

Por pavarësisht kësaj, dy ditë pushova në dy prej plazheve të preferuara të bregdetit jonian. Nuk dua të bëj antireklamë për qytetin tim pasi më dhemb çdo mund e sakrificë e njerëzve të thjeshtë që mundohen të mbijetojnë me ato të ardhura që sigurojnë në muajt e verës.

Këtë vit duket se abuzimi ka mbërritur deri te shitësi i misrave të pjekur. Një misër kushton 100 lekë dhe jo 50 lekë, ashtu siç kushtonte vjet apo siç kushton në të gjithë Shqipërinë. Tek e fundit, ç’më hyn në punë çmimi i një misri, thua se gjatë pushimeve do të ha vetëm misra?! Ajo që më largon në të vërtetë nga Saranda është kaosi i trafikut, çmimet shumë të larta të ushqimeve e pijeve si dhe fakti që shumë pak plazhe janë publike.

Pse m’a zaptuat plazhin?

“Trëndafili i Erërave” është plazhi i “zbuluar” nga fëmijët e atëhershëm. Një plazh i virgjër, me një shpellë nënujore, me guralecë të bardhë që rrinë shumë bukur me dy ngjyrat e ujit, jeshile dhe blu. Edhe pse ky vend ishte “e fshehta” jonë, shumë shpejt u popullua pasi u kthye në plazh privat.

Më saktë u “zaptua” nga pronari i një hoteli aty pranë, e që nuk paguan as taksa në bashki. Një çadër tashmë aty kushton 700 lekë dhe nuk ka rëndës i nëse e merr që në mëngjes apo dy orë para se të perëndojë dielli.  Pesë metra nga bregu i detit është ndërtuar një lokal veror me dru e kashtë, që ofron pije freskuese, kafe të ndryshme e ndonjë tost. Panorama nga karriget e tij është fantastike, duket sikur ke të servirur në pjatë Sarandën dhe Korfuzin.

E vetmja gjë që të prish humorin është komunikimi i kamarierit dhe çmimet e larta. Këtë vit duket se kamarieri ka ardhur nga Fieri për të siguruar ndonjë të ardhur më shumë. Dielli i ka zverdhur flokët, i ka rreshkur fytyrën e i ka plasaritur buzët. Duke qenë se Saranda është në kufi me Greqinë ka adaptuar shumë nga llojet e kafes që shërbehen në verë. As unë nuk mund t’i shpëtoj kënaqësisë, energjisë dhe freskisë që të fal një frape.

Pasi shijoj kafen me ujin dhe pas një sërë fotosh të shkrepura, vendos të zbres në plazh. Kërkoj faturën me mirësjellje dhe mendova që t’i lë edhe një bakshish djaloshit zeshkan. Ai më përgjigjet prerë se kushtojnë 400 lekë dhe se faturë nuk presin. -Po pse?- e pyes. -Është urdhër nga pronari,- më thotë ai. Një urdhër i çuditshëm, por që nuk di nëse është i vërtetë apo jo?! Një frape kushton zakonisht 200-250 lekë ndërsa një ujë i vogël 50-70 lekë.

Kuptohet që me çmimet po luajnë dhe nuk kam si ta zbuloj këtë, vetëm nëse filloj të kërkoj më shumë informacion. Nuk e di nëse ia vlen të prish ditën e plazhit dhe të relaksit pranë plazhit ku u rrita, apo të paguaj e të zbres në plazh. Zgjodha këtë të dytën, pagova dhe u ula buzë detit për të marrë disa rreze. Nëse keni qenë me pushime në Sarandë e dini se ky është abuzimi më i vogël me të cilin ndeshesh në plazhet, baret e restorantet që janë përgjatë vijës bregdetare.

“Pema e Thatë”, plazhi mes plehrave dhe çmimeve të larta

Një tjetër plazh i preferuar nga familja ime e që zakonisht e frekuentojmë pasditeve është “Pema e Thatë” në Ksamil. Nëse në kushte të një trafiku normal do të duheshin rreth 20 minuta për të shkuar, në ditët e nxehta të verës duhen 45-55 minuta, për shkak të trafikut.

Në Sarandë, përgjatë vijës së saj bregdetare deri në Butrint, janë bërë shumë pak investime në infrastrukturën rrugore. Këtë vit është përmirësuar pak më shumë lëvizja për shkak të zgjerimit të rrugës në segmente të ndryshme, por që nuk ka përfunduar akoma. Është ora 18.00 dhe kam mbërritur aty ku është pika më e afërt e Sarandës me Korfuzin, jam në plazhin e “Pemës së Thatë”. Shumë pak çadra janë të lira, për dy orë qëndrim në plazh më duhet të paguaj 500 lekë. Ajo që ma prish pak terezinë si fillim është fakti se shoh shumë kosha të vegjël plehrash të tejmbushur, si dhe plehra të hedhura rreth tyre.

Ndoshta kalojnë pak më vonë që t’i pastrojnë. Uji është i ngrohtë dhe dua ta shijoj një zhytje. Nuk kam notuar as tre metra dhe rrugën ma pret një motor uji. Ndaloj dhe mendoj se paskam shkuar shumë larg, por shoh që ndodhem shumë afër me bregun. Çfarë ka ndodhur me ndalimin e përdorimit të motorrëve të ujit? Pastaj, pse duhet të jenë kaq afër bregut? Në mendje më vjen që një vit më parë një turiste e huaj humbi jetën për shkak të prerjeve që mori në trup nga helika e një mjeti lundrues.

Po qëndroj mbi ujë pa lëvizuar deri sa motorri të largohet e të dal në breg. Kureshtja më drejton  drejt pjesës së betonuar që është kthyer në një liman të vogël, ku janë të lidhur edhe dy motorrë të tjerë uji.

-Sa kushton një xhiro me motorr?- pyes.

-Për 20 min është 45 euro.

-Po pse në euro? A nuk kemi lekun valutën zyrtare ne?

-Po edhe në lekë mund të paguash. Me 139 është kursi i këmbimit.

-Në fakt euro ka rënë, është me 126.

-Ne kaq e kemi, po të duash,-m’u përgjigj gjithë indiferentizëm dhe rrufiti edhe një gllënjkë nga birra që mbante në dorë. Në fakt unë pyeta nga kureshtja, qëllimi pse u drejtova në atë liman të improvizuar ishte që të shijoja një freskuese. Tavolinat e barit janë të papastruara, me miza që fluturojnë gjithandej. Duket se jemi në ndonjë nga vendet më të pazhvilluara në botë. Gjithsesi, po e marr një kanaçe me çaj të ftohtë. Për çudi, edhe kjo paska dyfishim të çmimit, kushton 300 lekë dhe përsëri pa faturë. Duke qenë se para se të nisesha me pushime kam bërë disa lajme për aksionin që po zhvillojnë tatimet në zonat turistike, po mendoja si ka mundësi që s’paska arritur dora e shtetit deri këtu, në një nga plazhet më të njohura dhe më të populluara të bregdetit jonian.

Greqia, sa afër e larg Shqipërisë

Jam në ditën e tretë të pushimeve dhe po nisem drejt Greqisë. Këtë herë do të shkoj në Athinë, pasi do të bëjmë një takim me shokët e fakultetit. Athina është nga të paktat kryeqytete që ka det dhe kjo e bën një nga vendet më të vizituara nga turistët e huaj.

Vija bregdetare e Greqisë është mbi 13 mijë km dhe laget nga tre dete, Egjeu, Joni dhe Deti Mesdhe. Për shkak të relievit, klimës, historisë dhe mikpritjes, turizmi në këtë vend ka njohur zhvillime të mëdha.

Më vjen në mendje një reportazh i një reviste greke, ku flet për zhvillimet e turizmit në 2017. Sipas të dhënave, Greqinë në një vit e kanë vizituar mbi 22 milionë turistë. Ndërkohë, të ardhurat që vendi ka siguruar nga turizmi kanë qenë mbi 13.5 miliardë euro. Kjo rritje në turizmin e vendit vjen si shkak i çmimeve të ulëta të ndikuara nga kriza.

Plazh në Athinë?! Kush tha se kushton

Një nga plazhet ku kalova ditën e parë ishte Glyfada. Këto dy vitet e fundit plazhet e Athinës janë të mbipopulluara me turistë shqiptarë. Çadra me dy shezlonë është falas, ashut siç ka qenë edhe para 10 viteve, mjafton që të porositësh diçka për të pirë. Kuptohet që edhe këtu porosita një frape, pasi të them të drejtën grekët e “qajnë”.

Kafeja kushton 2 euro, ndërsa 50 cent kushton uji. Plazhi është i pastër dhe koshat për çudi rrinë gjithë kohën bosh, thua se nuk u konsumoka asgjë në këtë plazh. Pronarët e biznesit të vogël që është në këtë plazh kanë krijuar disa minifusha në rërë, për këdo që do të luajë volejboll ose ping-pong.

Kuptohet që hapësira është pa pagesë. Në minikuzhinën me katër rrota mund të porositësh gjithçka që dëshiron për të ngrënë dhe nuk i kalon 5 euro për person, me një pije freskuese të përfshirë. Uji i detit është i pastër dhe i ngrohtë. Gjithmonë më ka pëlqyer të notoj larg bregut, deri në pikën që njerëzit të më duken si miza.

Epo këtu më jepet mundësia, pasi nuk më rrezikohet jeta nga asnjë mjet lundrues. Qëndroj mbi ujë me fytyrë të kthyer nga dielli dhe mendoj se ç’ka ndodhur këtu që nuk ka motorra uji? Ndoshta turistët nuk kanë lekë për të bërë një xhiro me motor? Ndoshta taksat janë shumë të larta për ata që zhvillojnë këtë biznes? Po sanksionet ligjore për këtë biznes si duhet të jenë?

Me këto mendime kthehem drejt bregut, për t’i dhënë fund ditës së parë të pushimeve me plazhin, por jo me argëtimin. Athina ofron një shumëllojshmëri zbavitjesh për pasditen dhe darkën. Rreth orës 19.30 do të takohesha me një shoqe në zonën e quajtur “Plaka” për të pirë një gotë verë në “Rebetadhikon”, ku takoheshim edhe kur ishim studente. Ky është një lokal me muzikë të vjetër greke dhe i arreduar këndshëm, por që të kthen disa vite pas në histori.

Sapo ulemi kamarieri na sjell një kanë me ujë të ftohtë dhe na informon për verërat që shërbejnë. “Sangria” është një verë me fruta që më ka lënë një shije të paharrueshme që herën e parë që e kam provuar. Shija e saj më lidh me çdo moment të kaluar në tokën greke. Një gotë verë këtu kushton 3 euro dhe gotën e dytë e ke dhuratë nga lokali. Në momentin që paguam dhe do të largoheshim, kamarieri na ofroi si dhuratë nga një hapëse birrash me Akropolin e pikturuar si dhe me adresën e lokalit. Edhe pse ndoshta nuk do ta përdor kurrë atë hapëse, më pëlqeu ideja e dhuratës dhe zgjedhja që ka bërë biznesi për të kujtuar klientët që të rikthehen përsëri aty.

“Allou! Fun Park” është një tjetër destinacion ku mund të kalosh disa orë të këndshme, e duke rritur adrenalinën e pushimeve. Kjo qendër lojërash është një tërheqje shumë e madhe për të gjitha moshat. Përveç argëtimit, aty mund të ushqehesh me çmime që nuk i kalojnë 5 euro së bashku me pijen. Ndërkohë që mund të provosh një sërë lojërash me çmime që fillojnë nga 12 euro deri në 19 euro.

Këto lojëra mund t’i provosh çdo ditë nga ora 17.00-23.00. Athina shquhet për të nxehtin e saj, kështu që paraditet janë të këshillueshme që të kalohen në bregun e detit. Për fat të mirë, këtu ka një numër të madh plazhesh që janë afër e larg, por në të gjitha do të gjesh kënaqësi dhe argëtim. Disa nga plazhet që kushdo duhet të vizitojë në Athinë ndodhen në Vula, Varkiza dhe Sunio. Për të gjithë ata turistë që nuk preferojnë të marrin një makinë me qira, transporti publik është shumë komod. Kështu mund të përdoren autobuza apo metro, me një biletë që kushton 1.4 euro. Kuzhina greke ngjan shumë me atë shqiptare.

Ndryshimi që ka mes dy vendeve është mënyra se si shërbehet dhe çmimi që duhet të paguash në fund. Kur jam me pushime edhe dieta ime ushqimore është e drejtuar nga prodhimet e detit. Kështu, po ndaj me ju një menu të një dreke me prodhime deti e të shoqëruar me uzo. Nuk jam fanse e krudos, por açugen krudo të përgatitur në Greqi nuk e ndërroj me asgjë. Një pjatë për dy persona kushton 4.5 euro.

Kallamarët dhe karkalecat e zgarës nuk mund t’i mungojnë tryezës dhe kushtojnë 7 euro. Sallata greke, xaxiqi dhe patatet janë në total 5 euro. Ndërkohë që unë preferoj rizoto me fruta deti që kushton 8 euro. Uzon na i shërbejnë me ujë të ftohtë, pra e hollojnë dhe nuk e di sa kushton se është dhuratë e lokalit. Kështu me 35 euro së bashku me bakshishin, mund të hash një drekë për dy persona, duke shijuar zhurmën e dallgëve, aromën e jodit e spektaklin që japin pulëbardhat që zhyten në det për të kapur peshq.

Edhe pse në Greqi nuk më kanë pëlqyer politikat e ndjekura dhe racizmin ndaj të huajve, më pëlqen deti, ushqimi, çmimet konkurruese dhe falenderimet e popullit të thjeshtë. “Jasu Eladha!” Vitin tjetër përsëri do të kontribuoj në turizmin tënd, ashtu siç bëj edhe me Sarandën time. Por me ndryshimin e madh se, tek ty nuk mendoj se tregtari i thjeshtë ka abuzuar me çmimet që më ka “detyruar” të paguaj. /tvscan/