Transmetuar më 29-07-2018, 22:30

Ushqimet që ju ngopin kanë cilësi të jashtëzakonshme. Janë të pasura me fibra e proteina si dhe furnizojnë me energji. Për më tepër pjesa më e madhe e tyre janë ushqime natyrale që nuk procesohen.

Patatet e ziera- Patatet janë demonizuar shumë në të kaluarën, por në fakt janë shumë ushqyese. Ato përmbajnë një sërë vitaminash dhe mineralesh, duke përfshirë vitaminën C dhe potasin. Janë të pasura me ujë dhe karbohidrate si dhe përmbajnë sasi të moderuara fibrash e proteinash, ndërkohë që thuajse nuk kanë fare yndyrë.

Në fakt patatet e ziera ngopin shtatë herë më shumë se një kroasant. Por patatet mund të shkaktojë ndjesi fryrjeje, ndaj këshillohet që të mos teprohet me konsumin e tyre.

Vezët- Vezët janë shumë të shëndetshme dhe të pasura me veti ushqyese. Pjesa më e madhe e vetive gjenden tek e verdha e vezës, ku kryesisht ka dobi për shëndetin e syve. Vezët janë një burim i mirë proteinash të cilësisë së mirë. Një vezë e madhe përmban rreth 6 gramë proteina, përfshirë dhe 9 aminoacide thelbësore. Një studim ka zbuluar se ngrënia e një veze në mëngjes në raport me çfarëdolloj ushqimi tjetër, rrit ndjesinë e ngopjes dhe bën që të konsumohen më pak kalori në 36 orët pasuese.

Supat- Lëngjet konsiderohen shpesh më pak ngopës në raport me ushqimet e ngurta, ndonëse nuk është gjithmonë kështu. Supat janë të ndryshme. Studimet tregojnë se supa mund të jetë në të vërtetë shumë më e ngopshme se sa një vakt i ngurtë që përmban të njëjtët përbërës.

Perimet- Perimet dhe zarzavatet janë shumë të ushqyeshme, pasi janë të pasura me vitamina dhe minerale të shumta si dhe përmbajnë shumë pak kalori. Gjithashtu janë të pasura me fibra dhe ujë, të cilat ndihmojnë që të ndihemi të ngopur, shkruan noa.al. Ndër të tjera perimet dhe zarzavatet kërkojnë më shumë kohë për t’u përtypur dhe për rrjedhojë krijojnë ndjesinë e ngopjes, për shkak se vakti zgjat.

Frutat- Frutat furnizojnë me energji, përmbajnë shumë fibra dhe ndihmojnë të ndihemi të ngopur më gjatë. Është e rëndësishme që të mbani parasysh se është më mirë të hani një frut të plotë në raport me lëngje frutash, të cilët nuk ngopin. Ajo që këshillohet është që të mundoheni të konsumoni fruta të stinës. /k.k/noa.al/