Transmetuar më 26-07-2018, 11:07

Në një mbledhje të jashtëzakonshme nën drejtimin e Kryeministrit grek Aleksis Cipras dhe me pjesëmarrjen e të gjithë ministrave kompetentë, u bë vlerësimi i gjendjes dhe u planifikuan hapat që do të hidhen për përballimin e pasojave të zjarreve në Atikën Lindore dhe Perëndimore.

Midis të tjerave         

-U aprovua kredia prej 20.000.000 euro nga Ministria e Ekonomisë në një llogari të veçantë të Ministrisë së Brendshme, për përballimin e nevojave imediate të Bashkive që janë prekur nga zjarret por edhe të qytetarëve të tyre.

-U vendos gjithashtu hapja e një llogarie të veçantë nga ana e Ministrisë së Financave, me pjesëmarrjen e Sektorit Publik por edhe të Privatëve, teksa konstatohet një interesim i jashtëzakonshëm solidariteti konkret, si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

-Nga kjo llogari do të financohen punimet e rindërtimit dhe të rehabilitimit të dëmeve materiale. Pjesëmarrja konkrete e Sektorit Publik në këtë llogari, do të bëhet e ditur ditëve në vazhdim, pasi të jetë bërë vlerësimi i përgjithshëm i gjendjes.

-U vendos gjithashtu, përforcimi i 19 njësive të përbashkëta të patrullimit të policisë, të zjarrfikësve dhe të ushtrisë, për policimin efektiv të zonave të prekura nga zjarret.

Ministria e Financave ndërkohë, ka njoftuar disa masa të jashtëzakonshme për lehtësimin e të prekurve nga zjarret, të cilat parashikojnë:

-Zgjatje të afatit të depozitimit të deklaratës së të ardhurave (taksa mbi të ardhurat, TVSH dhe taksave të tjera të mbajtura) deri më dt. 28.09.2018

-Zgjatje me gjashtë muaj të afatit të pagesës së detyrimeve të konfirmuara, si dhe të detyrimeve që u ka mbaruar afati i shlyerjes. I njëjti afat vlen edhe për detyrimet që rrjedhin nga deklaratat e depozituara për tatimin e të ardhurave të vitit tatimor 2017

-Përjashtim nga pagesa e ENFIA-s (Taksës Unike për Pronat e Patundshme) për vitin 2018, për pronat e patundshme në zonat që u prekën nga zjarret.

Gjithashtu, nëse do të lindë nevoja, afatet e mësipërme mund të zgjaten sërish.

Ditëve pasardhëse dhe pasi të jetë bërë vlerësimi i përgjithshëm i gjendjes dhe madhësisë së dëmeve, do të njoftohet dhe paketa kryesore e masave mbështetëse për familjet e viktimave të zjarreve shkatërruese, si dhe mbështetja e jashtëzakonshme dhe dëmshpërblimet për të prekurit, përmbi ato që parashikon në këtë moment ligji.

Për regjistrimin e shpejtë të dëmeve, tashmë janë në terren 180 inxhinierë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Transporteve, të cilëve nesër do t’u shtohen edhe 120 të tjerë.

Gjithashtu, për të mbështetur të prekurit nga zjarret, Ministria e Punës ndërkohë

-ka ofruar 200 shtretër në kampin Agios Andreas si dhe 40 shtretër në një godinë të EKKA -Qendër Kombëtare të Solidaritetit Shoqëror- në Kallamaki

-Ka siguruar ushqim, ujë dhe lëngje, për të gjithë ata të prekur që strehohen në palestrën e Rafinës, ndërkohë që është në kontakt me kryetarët e Bashkive për plotësimin e nevojave të tjera që mund të rezultojnë.

-Ka dërguar ndërkohë, njësi të lëvizshme të EKKA me punonjës socialë dhe psikologë në Palestrën e Rafinës dhe në Shtëpinë e të Moshuarve të Bashkisë së Megaras.

Së fundi, Prefektura e Atikës ka ngritur një Qendër të veçantë koordinimi të nismave vullnetare dhe të ofertave, me të cilën, të gjithë ata qytetarë që dëshirojnë të ndihmojnë në përpjekjet që bëhen për përballimin e gjendjes së jashtëzakonshme, mund të komunikojnë me nr e tel. 210-4819001.