Transmetuar më 24-07-2018, 11:23

Zjarret e mëdha që kanë përfshirë Greqinë dhe konkretisht Athinën qysh prej orëve të para të mëngjesit të së hënës, kanë shkaktuar mbi 50 viktima dhe qindra të plagosur.

Paraditen e sotme, është gjetur e shkrumbuar nga flakët makina e një emigranti shqiptar dhe brenda mjetit është gjetur një kufomë.

Bëhet e ditur se automjeti i përket një emigranti nga Tepelena, ndërsa trupi i pajetë dyshohet se mund të jetë i të riut shqiptar.

Paraprakisht flitet edhe për disa shqiptarë të tjerë të lënduar, ndonëse nuk ka ende shifra zyrtare.

Ambasada shqiptare në Athinë shprehu më herët ngushëllimet e saj më të sinqerta për familjet e viktimave të zjarreve në Greqi, dhe shpreh mbështetjen e plotë ndaj autoriteteve greke.

Në një qëndrim zyrtar të ambasadës shqiptare në Athinë, thuhet se “Ambasada është vënë menjëherë në kontakt me qytetarë shqiptarë të zonave të prekura, ndërsa i bëjmë thirrje që për çdo nevojë t’i drejtohen Ambasadës në nr. +30 6941658183”.

Qysh në orët e para të së hënës, Greqia është përfshirë nga zjarre të fuqishme ku deri më tani 50 persona kanë humbur jetën dhe afro 200 të tjerë kanë mbetur të plagosur, në zonën e Atikas në periferi të Athinës

Ndërkohë që Kryeministri Aleksis Tsipras ka shpallur gjendjen e emergjencës.

Sakaq 26 viktima u gjetën në një tavernë në formë vile në zonën e Mati, ku për shkak të rrethimit nga zjarri u gjetën të karbonizuar.

Më herët u gjetën 24 persona të vdekur, si pasojë e zjarreve shkatërruese që kanë përfshirë dy pyje në afërsi të Athinës.

24 viktimat u gjetën në orët e para të mëngjesit të sotëm në brigjet e Rafinas dhe Nea Makrit. Rezulton se ata ishin izoluar në banesa dhe makinë, ku në tentativë për tu larguar përmes detit, mbetën të mbytur.

Mes tyre ka edhe shumë fëmijë, si dhe një foshnjë vetëm 6 muajshe.

Deri më tani krahas viktimave flitet për mbi një mijë shtëpi të djegura dhe rreth 300 automjete. Ndërkohë që në vend temperaturat kanë shkuar në 40 gradë.

Autoritetet kanë deklaruar gjendjen e emergjencës si dhe kanë kërkuar ndihmën e Bashkimit Europian. Sakaq mijëra persona janë në arrati, ndërkohë që ekipet e shpëtimit dhe shuarjes së zjarreve po punojnë me kapacitet maksimal.

Thirrjeve për ndihmë nga ana e Greqisë iu është përgjigjur Qipro, Franca dhe Spanja.

Autoritetet greke dyshojnë se zjarret që po shkatërrojnë pyjet që rrethojnë Athinën, janë të qëllimshme. Sakaq si pasojë e zjarreve të fuqishme të nisura që nga mëngjesi i së hënës, është shkatërruar edhe zona turistike e Kineta. /a.y/noa.al

Zjarri në Greqi, ambasada shqiptare: S’ka shqiptarë mes viktimave

Zjarret, Meta i shkruan homologut grek: Ndjek ne ankth e shqetësim të madh situatën

Shkon në 50 numri i viktimave nga zjarret Greqi, 26 trupa të karbonizuar gjenden në një vilë

Greqia digjet nga zjarret, 24 të vdekur dhe mijëra në arrati