Transmetuar më 24-07-2018, 10:11

Ambasada shqiptare në Athinë shpreh ngushëllimet e saj më të sinqerta për familjet e viktimave të zjarreve në Greqi, dhe shpreh mbështetjen e plotë ndaj autoriteteve greke.

Në një qëndrim zyrtar të ambasadës shqiptare në Athinë, thuhet se “Ambasada është vënë menjëherë në kontakt me qytetarë shqiptarë të zonave të prekura, ndërsa i bëjmë thirrje që për çdo nevojë t’i drejtohen Ambasadës në nr. +30 6941658183”.

Ambasada shqiptare në Athinë, nuk konfirmon që të ketë shqiptarë mes viktimave që humbën jetën si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë Athinën.

Bëhet me dije se nga kontakti i vazhdueshëm me përfaqësuesit e komunitetit në zonat e goditura por edhe me autoritetet nuk flitet për shqiptarë, as mes viktimave dhe as mes të lënduarve. 

Qysh në orët e para të së hënës, Greqia është përfshirë nga zjarre të fuqishme ku deri më tani 50 persona kanë humbur jetën dhe mbi 150 të tjerë kanë mbetur të plagosur, në zonën e Atikas në periferi të Athinës

Ndërkohë që Kryeministri Aleksis Tsipras ka shpallur gjendjen e emergjencës.

Sakaq 26 viktima u gjetën në një tavernë në formë vile në zonën e Mati, ku për shkak të rrethimit nga zjarri u gjetën të karbonizuar.

Më herët u gjetën 24 persona të vdekur, si pasojë e zjarreve shkatërruese që kanë përfshirë dy pyje në afërsi të Athinës.

24 viktimat u gjetën në orët e para të mëngjesit të sotëm në brigjet e Rafinas dhe Nea Makrit. Rezulton se ata ishin izoluar në banesa dhe makinë, ku në tentativë për tu larguar përmes detit, mbetën të mbytur.

Mes tyre ka edhe shumë fëmijë, si dhe një foshnjë vetëm 6 muajshe.

Në fotogaleri mund të shihni pamjet se si qytetarët i janë drejtuar detit për të kërkuar shpëtim nga flakët.

Deri më tani krahas viktimave flitet për mbi një mijë shtëpi të djegura dhe rreth 300 automjete.

Ndërkohë që në vend temperaturat kanë shkuar në 40 gradë.

Autoritetet kanë deklaruar gjendjen e emergjencës si dhe kanë kërkuar ndihmën e Bashkimit Europian. Sakaq mijëra persona janë në arrati, ndërkohë që ekipet e shpëtimit dhe shuarjes së zjarreve po punojnë me kapacitet maksimal.

Thirrjeve për ndihmë nga ana e Greqisë iu është përgjigjur Qipro dhe Spanja.

Autoritetet greke dyshojnë se zjarret që po shkatërrojnë pyjet që rrethojnë Athinën, janë të qëllimshme.

Sakaq si pasojë e zjarreve të fuqishme të nisura që nga mëngjesi i së hënës, është shkatërruar edhe zona turistike e Kineta. /a.y/noa.al

Zjarri në Greqi, ambasada shqiptare: S’ka shqiptarë mes viktimave

Zjarret, Meta i shkruan homologut grek: Ndjek ne ankth e shqetësim të madh situatën

Shkon në 50 numri i viktimave nga zjarret Greqi, 26 trupa të karbonizuar gjenden në një vilë

Greqia digjet nga zjarret, 24 të vdekur dhe mijëra në arrati