Transmetuar më 22-07-2018, 22:29

Konfindustria paralajmëron, në një njoftim për shtyp, se gjatë vitit në vazhdim po shfaqen shenja të dukshme për rrezikun e krijimit të piramidave në sektorin e ndërtimeve urbane të shtrira në gjithë vendin, por sidomos në Tiranë dhe qytetet kryesore të vendit.

Sipas te dhënave zyrtare, vetëm në tremujorin e parë të 2018 krahësimisht me tremujorin e parë të vitit pararendës, është shtuar me afër 120 % numri i lejeve të ndërtimit të dhëna si dhe është shtuar me 200 % sipërfaqja e ndërtimit.

Konfindustria vlerëson, në një njoftim për shtyp se shtimi dramatik i kërkesave për leje dhe sipërfaqeve të ndërtimit nuk përligjet nga rritja e ulët ekonomike e viteve të fundit, që nuk kalon mesataren e 3.5 % të PPB.

Shtimi i lejeve të ndertimit është në kontradiktë të thellë edhe me të dhënat e Bankës së Shqipërisë, se kreditimi bankar për shtëpi për qytetarët është në rënie. Gjithashtu, sipas të dhenave zyrtare niveli i përgjithshëm i depozitave të qytetarëve shënon rënie. Te dhënat e mësipërme tregojnë rrezikun e krijimit të flluskave financiare në sektorin e ndërtimit dhe/ose shfaqjen e trysnisë së financimeve me burime joformale.

Konfindustria vlerëson, se eështë e mundshme, që frika nga fillimi i procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë, politike dhe institucionet shteterore, shoqëruar me shtrëngimin e qartë të trysnisë nga agjencitë ndërkombëtare të sigurisë, ka shtuar fluksin e parave me origjinë të dyshimtë, që hyn nga jashtë dhe kërkon të investohet në vend.

Rënia e fortë e monedhës euro me mbi 10 pikë në pjesën e parë të vitit 2018, mund të shpjegohet vetëm me flukset hyrëse të pakontrolluara të kapitaleve të dyshimta dhe përkon në kohë me rritjen e kërkesave dhe lejeve të lëshuara në sektorin e ndërtimit.