Transmetuar më 19-07-2018, 14:08

Parlamenti britanik diskuton ndërhyrjen e Emirateve në politikën e jashtme të UK Dhoma e Ulët në parlamentin britanik (House of Commons) diskutoi të martën e kaluar raportin e organizatës në lidhje me korrupsionin dhe kontrollin ndaj grupeve lobuese në jetën politike britanike, me titull, Emiratet e Bashkuara Arabe shkatërrojnë demokracinë në Britani.

Në sesionin e diskutimit të raportit morën pjesë autorët e raportit dhe disa deputetë. Sipas këtij raporti, autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe ndërmorën një fushatë intensive në Britani kundër asaj që njihet si pranvera arabe, për të shtypur përhapjen e demokracisë në Lindjen e Mesme si dhe për të demonizuar Shtetin e Katarit.

David Miller – një nga themeluesit e organizatës dhe një prej autorëve të raportit – tha se të dhënat e paraqitura në raport janë marrë kryesisht nga emailet e rrjedhura nga kompanitë lobuese britanike, të cilat kanë marrë shuma të mëdha nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto të dhëna kanë çuar në zbulimin e një sërë praktikash që synonin të prishnin imazhin e Katarit dhe të udhëheqjes së këtij vendi.

Disa parlamentarë britanikë – me në krye Chris Williamson, anëtar i lartë i Partisë Laburiste, i cili ka luajtur më parë dhe rolin e Ministrit në hije për Komunitetet dhe Qeverisjen Vendore – akuzuan Emiratevet e Bashkuara Arabe se kanë minuar politikën në Britani dhe kanë ndërhyrë për përhapjen e mosbesimit ndaj komuniteteve të huaja në përgjithësi, fushatë e cila kontribuoi gjithashtu në promovimin e islamofobisë dhe nxitjes kundër myslimanëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Takimet sekrete

Raporti i Spin Watch zbuloi një seri takimesh sekrete mes ishkryeministrit britanik David Cameron dhe Princit të Kurorës së Abu Dhabit Mohammed bin Zayed gjatë periudhës 2012 – 2015. Këto takime – sipas raportit – kishin për qëllim presionin ndaj Britanisë që ti bashkohej Emirateve në drejtimin e akuzave për terrorizëm kundër Katarit dhe anëtarëve të familjes në pushtet (Al Thani).

Raporti përmend gjithashtu se Khaled Al Hail – dezident katarian resident në Londër – u ka paguar shuma të mëdha parlamentarëve dhe përfaqësuesve izraelitë për të marrë pjesë në konferencat e mbajtura në hotelet luksoze të Londrës, në mënyrë që të ndikojnë për të dëmtuar reputacionin e Katarit dhe të ushtrojnë presion për t’i hequr Dohas organizimin e Kupës së Botës 2022.  

Investigimi i Spin Watch bazohej edhe tek korrespondencat e bilanceve financiare mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe kompanive britanike për marrëdhënie me publikun, të cilat kanë marrë fonde për të mobilizuar parlamentarë britanikë kundër Katarit. Raporti theksoi se presioni i emiratasve shkoi deri në kërcënim me anulimin e marrëveshjeve të biznesit me qeverinë e Cameron, në rast mospërfshirje të britanikëve në fushatën kundër Katarit.

Raporti gjithashtu hedh dritë mbi presionin e Emirateve mbi Partinë e Konservatorëve, duke theksuar se një prej drejtuesve të kësaj partie ka marrë fonde nga një mik i Princit të Kurorës së Abu Dhabit. Më vonë u zbulua se i njëjti drejtues i konsevatorëve ishte i përfshirë në komplotin ndaj monedhës katariane. 

Raporti arrin në përfundimin se autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar duhet të punojnë më shumë në drejtim të shmangies së çdo ndikimi nga qeveritë e huaja në politikat britanike.

Në lidhje me këtë, gazeta britanike The Guardian publikoi para pak ditëve një shkrim të Jim Waterson, i cili denoncoi financimin e Emirateve të një konference që u mbajt së fundmi në Londër, për të hedhur dyshime mbi mundësinë e organizimit të Kupës së Botës nga Katari më 2022-shin.

Në shkrim shtrohen disa pikëpyetje rreth një organizate të quajtur Sport Integrity Foundation", e cila financoi konferencën e sipërpërmendur gjatë qershorit të kaluar, ku supozohej të ftohej gazetari dhe studiuesi Nicholas McGeehan. Waterson shkruan se organizatorët e konferencës i ofruan para gazetarit për të folur në konferencë, por ai u tha atyre se do të kritikonte të gjitha shtetet e Gjirit dhe jo vetëm Katarin. Pas kësaj korrespondence organizatorët e tërhoqën menjëherë ftesën për McGeehan.

Vetë gazetari Nicholas McGeehan komentoi mbi këtë çështje për The Guardian duke u shprehur se kjo ishte skandaloze. Gjithçka ishte financuar nga sauditët dhe emiratasit.

The Guardian përmendi gjithashtu se qeveria e Riadit ka planifikuar edhe gërmimin e një kanali përgjatë kufirit të saj me Katarin, për ta kthyer këtë të fundit në një ishull.

Burimi: Guardian, Al Jazeera Net