Transmetuar më 17-07-2018, 19:49

Një baba i tronditur është detyruar të denoncojë mjekët në QSUT të Tiranës pasi thotë se u përball me neglizhencë të papërgjegjshme të tyre ndërsa e bija ishte duke lindur.

Denoncimi penal i babait H. L., 66 vjeç, banues në Kodër Institut, Tiranë, është bërë pranë Komisariatit nr 3 të policisë së kryeqytetit, raporton noa.al duke cituar burime zyrtare nga Policia e Shtetit.

“Më datë 16.07.2018, shtetasi H. L., 66 vjeç ka bërë kallëzim, pasi pretendon se mjekët e spitalit kanë neglizhuar ndihmën mjekësore gjatë kohës që vajza e tij, shtetasja F. B., 34 vjeçe, ka qenë duke lindur”, – konfirmon policia.

Shtetasja F. B., dhe fëmija i porsalindur aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia thotë se po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, duke shtuar se po hetohet për konsumin të nenit 97 të Kodit Penal.

Ky nen sanksionon se “mosdhënia e ndihmës, pa shkaqe të arsyeshme nga ana e personit që me ligj ose për shkak të detyrës detyrohej ta jepte atë, kur si pasojë e saj është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit, rrezikimi i jetës ose vdekja, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”. /noa.al/