Transmetuar më 14-07-2018, 19:27

Në kulmin e debateve dhe dyshimeve të forta për mënyrën si pritet të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar, Bashkia e Tiranës publikoi sot një video-maket me pamjet se si pritet të duket institucioni i ri kulturor në qendër të Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka publikuar pamjet në një video 2-minutëshe që shikoni më poshtë, me maketet në 3D të projektit.

“Një Teatër i Ri për Kryeqytetin Europian!”, – thotë Veliaj duke publikuar video-maketin.

Teatri vijon të prodhojë debat të fortë politik, dhe jo vetëm.

Prej ditësh vazhdojnë edhe protestat e aktorëve që janë kundër prishjes së Teatrit aktual.

Sakaq, me anë të një peticioni, opozita i është drejtuar Presidentit të Republikës, Ilir Meta, që të mos e dekretojë shembjen e Teatrit ekzistues.

Kërkesa nuk ka asnjë vlerë produktive edhe nëse Presidenti e aplikon sepse rikthimi në Parlament i ligjit do të bënte që ai të merrte fuqi ligjore menjëherë më pas pa nevojën e dekretimit nga kryetari i shtetit. /k.k/noa.al/

Projekti i prezantuar nga studiot e arkitekturës, “Bjarke Ingels Group” me qendër në Danimarkë, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern.

Studio thotë se projekti krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vet publikun, i cili mund të angazhojë imagjinatën.

Teatri i ri do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht do ketë një hapësirë prej 750 metra katrorë auditorë dhe me mbi 600 vende, me ballkon.

Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katrorë dhe dy salla Black Box prej 200 metra katrorë secila.

Gjithashtu për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metra katrorë që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër.

Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun. /k.k/noa.al/