Transmetuar më 11-07-2018, 21:13

Kukësi nuk ka mundur të marrë më shumë se një barazim në ndeshjen e parë për kualifikueset në Ligën e Kampioneve përballë modestëve maltezë të Valetas.

Takimi i luajtur pasditen e sotme në Loro Boriçi, përfundoi me rezultatin 0-0, edhe pse pritej një fitore nga kuksianët.

Pjesa e parë e takimit u luajt me ritëm të ulët dhe pak shanse goli. Kuksianët u hodhën në sulm në 45-minutëshin e dytë, por mbrojtja malteze rezultoi efikase.

Sulmuesi i parë i Kukësit Sebino Plaku nuk ia doli të gjejë rrjetën, duke u zëvendësuar nga Harba në minutën e 75’.

Te Kukësi ndihet mungesa e ish-bomberit të vitit të shkuar Sindrit Guri, i cili ishte një makineri golash për kuksianët.

Sidoqoftë fati i kualifimit në turin tjetër do të vendoset në Valeta, ku kuksianët pritet të luajnë një ndeshje më sulmuese./a.k/noa.al/