Transmetuar më 11-07-2018, 13:47

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ishte i pranishëm gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të OSBE, e cila u mbajt në Parlamentin Gjerman.

Gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare të ditës së djeshme, në emër të opozitës Mediu vlerësoi se në qendër të punës së OSBE është mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të qytetarëve, e drejta e tyre për të vendosur nëpërmjet votës, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Ai deklaroi se nëse OSBE vëzhgon zgjedhjet dhe bën rekomandime atëherë është e domosdoshme që ajo të ndjekë zbatimin e tyre, e në mënyrë të veçantë “blerjen e votës, influencën e krimit të organizuar në zgjedhje dhe kapjen e shtetit”, të cilat ai i cilësoi si rrezikun më të madh, veçanërisht në Shqipëri.

Në këtë kontekst ai u shpreh se garantimin e të drejtave të qytetarëve e siguron një gjyqësor i pavarur.

“Shqipëria u përfshi në një proces të reformës në drejtësi për të luftuar korrupsionin dhe garantuar pavarësinë e tij. Të gjithë ranë dakord dhe e vlerësuan si të domosdoshme, por ajo që është e domosdoshme është implementimi i drejtë i saj. Sot ne jemi në mungesë të plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe bllokim të Gjykatës së Lartë, dhe mund të përfundojmë në mosfunksionimin e gjykatave të tjera”, u shpreh Mediu.

Duke deklaruar se mungesa e pushtetit gjyqësor i jep autoritet vetëm qeverisë, Mediu ngriti pikëpyetjen se si mund luftohet korrupsioni në këto kushte dhe se ku është zbatimi i Kushtetutës bazuar në parimin “Check and Balance”.

Mediu e cilësoi Shqipërinë si një rast unik në Europë që nuk ka Gjykatë Kushtetuese apo me një Gjykatë të Lartë të bllokuar, duke përmendur si shembull Amerikën, vend në të cilin zhvillohet debat se kush duhet të jetë anëtar i Gjykatës së Lartë në një kohë kur në Shqipëri kjo Gjykatë nuk funksionon fare.