Transmetuar më 11-07-2018, 13:11

Një operacion i policisë së Korçës i koduar “Vizitorët” ka vënë në pranga tre persona, të cilët akuzohet se kanë vjedhur me dhunë sendet me vlerë të një të moshuari, ndërkohë që dyshohet se lëviznin në qytete të ndryshme për të bërë goditjet e rastit.

Të arrestuarit janë Ilir Abazi, 42 vjeç, banues në Shkodër, Fisnik Hajro, 64 vjeç, banues në Tiranë dhe Tonin Nika, 65 vjeç, banues në Shkodër.

Arrestimi i tyre u bë pasi pasditen e djeshme, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, si edhe falë veprimeve në lagjen nr.3, Bulevard “Fan Noli” në Korçë, janë kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë, duke vjedhur me dhunë, portofolin dhe një unazë floriri të moshuarit H.F., 91 vjeç, banues në Korçë. 

Gjithashtu nga veprimet e mëtejshme hetimore, dyshohet së mund të jenë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera të kryera me po të njëjtin mekanizëm, në disa qytete të tjera gjatë dy muajve të fundit, ngjarje për të cilat po punohet për t`i dokumentuar me fakte e prova ligjore.

Në cilësinë e provës materiale iu gjetën e sekuestruan një automjet tip “BMW”, tre aparate celularë, një shumë prej 35000 të dyshuara si të ardhura nga veprimtaria kriminale në fushën e vjedhjes me dhunë.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim për veprën penale “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al