Transmetuar më 11-07-2018, 13:00

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaron se ditën e sotme ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës, fakte të reja lidhur me kallëzimin e bërë ndaj kryedemokratit Lulzim Basha në 27 qershor, të cilin e akuzon për shpifje.

Padia vjen lidhur me akuzat e Bashës, i cili thotë se Balla është porositësi i makinave Toyota Yaris, të cilat u bllokuan në portin e Durrësit me 3.4 milionë euro.

Deputeti socialist shpreh bindjen se “këto hapa ligjorë do të zbardhin shpifjet dhe ofendimet e turpshme të esadistit Lulzim Basha, ndaj meje dhe ndaj gjithë grupit tim parlamentar. Në fund të këtij procesi drejtësie ky gojë përdalë do të marrë një dënim shembullor”.

Ai shton se nuk ka asnjë dyshim që afera e transportit të eurove të sekuestruara do të zbardhet plotësisht me kapjen e autorëve në kërkim (me të cilët lidhja e PD është organike, ndërsa e Lulzim Bashës me ta është sa afër në provën fotografike, aq edhe thellë në njohje të vjetra politike dhe personale).

Balla shpreh vendosmërinë që me Lulzim Bashën dhe “esadistët e tij” të ndiqet gjithnjë e më shumë rruga gjyqësore e përballjes me “shpifjet e ndyra” e me gënjeshtrat ofenduese të tyre.

“Ata tanimë duhet t’i mësojmë të sjellin prova para publikut, ose të turpërohen siç e meritojnë në sallat e gjyqeve dhe të procedohen penalisht kur shkelin ligjin”, thotë në mbyllje të qëndrimit të tij Taulant Balla. /a.y/noa.al