Transmetuar më 10-07-2018, 22:25

Elia Zaharia sqaron se nuk ka hedhur asnjë firmë për shembjen e Teatrit Kombëtar, por vetëm ka mbështetur deklaratën që ka bërë aktori Artan Imami.

Ky reagim i princeshës erdhi pas akuzës nga deputeti i PD, Agron Shehaj, i cili në një status në Facebook, i shkruante se nëse një pallat i familjes mbretërore ishte restauruar, pse kërkonte shembjen e Teatrit.

“Miq të nderuar. E shoh të udhës të sqaroj edhe njëherë pozicionin tim lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar, pasi konstatoj se emri im në jo pak raste po keqpërdoret. Unë kam shprehur mbështetjen time ndaj deklaratës së kolegut tim Artan Imami ku kërkohej një Teatër Kombëtar bashkëkohor, në të cilin të performohet në kushte njerëzore, duke theksuar që territori i Teatrit Kombëtar të mos cenohet në asnjë centimetër, por të mbetet terësisht në funksion të tij”, shkruan Elia.

Ajo vijon më tej në postimin e saj:

“Në letrën e hapur nuk permendet në asnjë paragraf shembja e teatrit. Arkitektura nuk vihet në diskutim pasi është çeshtje që i takon specialistëve. E riktheksoj që nuk kam vënë asnjë firmë për shembjen e teatrit dhe askush nuk ka falcifikuar firmën time pasi nuk bëhej fjalë për të firmosur fizikisht, por për të mbështetur një deklaratë, ku shprehej mendimi në lidhje me këtë çeshtje”, shkruan Elia./a.k/noa.al/