Transmetuar më 09-07-2018, 09:40

Dalin detaje të reja lidhur me të shtënat me armë zjarri që u shënuan natën mes të shtunës dhe të dielës në lokalin “Havana”, në Dhërmi.

Gjithçka ka ndodhur teksa lokali ishte plot, për shkak se shërben edhe si disko edhe si bar-restorant.

Madje në lokalin ku ndodhën të shtënat, krahas një sërë personazhesh publikë, ishin edhe dy ministra të kabinetit “Rama”, të cilët ishin duke konsumuar pije dhe u larguan në precipitim e sipër të situatës.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, policia arrestoi 23-vjeçarin Emiljano Nina, i cili pas një konflikti me një person tjetër, ka shkrepur armën, ndërkohë që për “shënjestrën” policia është treguar e rezervuar, duke mos dhënë as inicialet e tij.

Nga hetimet e para mësohet se Nina ka qëlluar disa herë me pistoletë në ajër, pasi ka ndeshur në lokal personin, me të cilin ka pasur konflikt më të hershëm.

Fillimisht nisën goditjet me sende të forta, mes tyre karrige dhe shishe, deri sa u shkrep dhe arma e zjarrit.

Pas ngjarjes, “Havana” ishte shndërruar në një arenë luftimesh.

Ambienti i shkatërruar, me tavolina të përmbysura dhe gota të thyera.

Pak para se të dëgjohen të shtënat, dëgjohet një dëshmitar i cili thotë: “Doli pistoleta…”, ndërsa më tutje një person tjetër i veshur me të bardha duket i nervozuar.

Dyshohet se gjithçka ka ndodhur për një vajzë të cilën Nina e kishte ngacmuar, por që ajo kishte shkuar në lokal, me të dashurin e saj, çka ka nxehur edhe gjakrat.

Policia tha se arrestoi Emiljano Nina 23 vjeç, banues në Tiranë, pasi kishte pasur konflikt të hershëm me një person që gjithashtu ndodhej në këtë disko dhe qëlloi në ajër 4 herë me pistoletë.

23-vjeçari i arrestuar nga policia akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municioneve” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

/a.y/noa.al

“Disa dolën të gjakosur”, dëshmitari rrëfen tmerrin gjatë të shtënave në diskon verore

Panik mes pushuesve në Dhërmi, të shtëna me armë brenda lokalit të njohur