Transmetuar më 08-07-2018, 11:47

Ndonëse policia e Vlorës në komunikatën zyrtare pohoi se nga të shtënat me armë zjarri në diskon ‘Havana’ në Dhërmi nuk pati njerëz të lënduar, dëshmitarët në vendngjarje kanë pohuar të kundërtën.

Një dëshmitar në vendngjarje ka rrëfyer për JOQ se njerëzit u lënduan në tentativë e sipër për të dalë nga klubi i natës nga xhamat e thyer nga të shtënat.

“Isha i pranishëm tek ngjarja në Dhërmi. Ishte super kaos dhe pamë njerëz duke vrapuar, të lyer në gjak nga përpjekjet për të dalë nga Havana. Pamë dhe më vonë personin që qëlloi me armë, duke u përpjekur të fshihej. Unë po kaloja aty dhe në një moment u dëgjua një krismë, njerëz që bërtisnin dhe që po shpërndaheshin. Pas asaj vazhduan diku tek 6 krisma të tjera. Pamë një çift francez që kishin prerë këmbët me xhama, njerëz duke vrapuar. Më vonë u grumbulluan afër një vile. Vajtëm për të parë se çfarë po ndodhte. Pamë personin me armë në dorë që po përpiqej të fshihej. Kemi qenë rreth 20 çuna dhe u shpërndamë”, ka thënë dëshmitari.

I pyetur në lidhje me arsyet e kësaj ngjarje, djali thotë se nuk i di me saktësi, por në zonë flitet se bëhet fjalë për konflikte të vjetra, për një debat që agravoi dhe pati këto pasoja, ndërsa autori, i cili ishte vetëm një dhe jo disa, dyshohet të jetë me origjinë nga Laçi.

“Besohet se kanë qenë konflikte të vjetra… Personi që qëlloi ka qenë laçjan me sa dëgjova… Më vonë unë u ngjita te tarraca e hotelit dhe ndoqa veprimet që aty lart. Pamë që policia shoqëroi disa persona”, tha ai.

Sa i takon ambulancës dhe dhënies së ndihmës së parë, dëshmitari tregon se ishte lajmëruar një mjeke e njohur në Dhërmi.

“Ambulanca erdhi sepse njoftova një mjeke që e njoh në Drimadhe, por nuk e lejova të shkonte në vendngjarje pa mbërritur policia, sepse zona nuk ishte e sigurt. Mendohet që ka edhe të vdekur. Numri i të plagosurve nga përpjekjet për të dalë mund të jetë i lartë. Ai ka qenë një sherr masiv që ka kaluar në një nivel tjetër, sepse pash disa çuna që ishin nxirë nga fytyra Ishte gjë e gabuar për turizmin, sepse klientët e hotelit e konsideruan si një akt terrorist”, shprehet dëshmitari.

foto ilustruese