Transmetuar më 05-07-2018, 10:32

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vendimin ndaj gjyqtares së Gjykatës së Tiranës, Alma Brati, e cila i është nënshtruar procesit të vetingut.

Trupa gjykuese e KPK, e përbërë nga Pamela Qirko, Genta Tafa Bungo dhe Lulzim Hamitaj, deklaroi paraditen e sotme, konfirmimin në detyrë të gjyqtares Brati.

Nga verifikimet e kryera, u konkludua se gjyqtarja ka bërë deklarim të rregullt pasurie.

Brati iu nënshtrua procesit të vetingut me prioritet, për shkak se kandidon për Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Relatorja Genta Bunggo deklaroi në seancën dëgjimore të ditës së djeshme, se gjyqtarja nuk ka fshehur pasurinë dhe se në vitin 2017, ka blerë një apartament 100 m2 në Tiranë.

Banesën rezulton se e ka blerë, me 50 mijë euro kredi dhe 25 mijë të tjera, të marra borxh nga tezja.

Alma Brati është emëruar gjyqtare në vitin 2007. Më parë, ajo ka punuar si juriste në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Durrës dhe inspektore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. /a.y/noa.al